Flash News

KRYESORE

Shoqërimi i gazetarit në polici, reagon Meta: Inkurajoj të gjithë gazetarët t’i shërbejnë me guxim informimit publik

Shoqërimi i gazetarit në polici, reagon Meta: Inkurajoj të

Policia ka shoqëruar në krye të detyrës gazetarin e report tv në Lezhë, Elvis Hila teksa ky i fundit po ndiqte përplasjet mes banorëve dhe IKMT në Shëngjin të Lezhës.

Pas veprimit të policisë ka reaguar presidenti Ilir Meta.

Nëpërmjet një statusi në Facebook, Meta inkurajon gazetarët të vijojnë të shërbejnë me guxim dhe kurajo për të informuar publikun.

Ai i ka bërë apel policisë të ruajë profesionalizmin dhe të distancohet nga praktikat abuzive të cilat siç shkruan ai na kthejnë pas në kohët më të errëta të dhunimit të të drejtave të njeriut.

Reagimi i plotë

“Dënoj me forcë rastet e përsëritura të dhunës, shantazhit dhe kërcënimit policor mbi gazetarët në krye të detyrës, siç është edhe rasti i fundit i shoqërimit pa asnjë shkak të justifikuar ligjor të gazetarit z.Elvis Hila, i cili po raportonte për aksionin e IKMT në Shëngjin.

Duke shprehur solidaritetin e plotë me z.Hila, inkurajoj të gjithë gazetarët t’i shërbejnë me guxim, kurajo e profesionalizëm dhe transparencë informimit publik, bazuar vetëm mbi faktet dhe të vërtetat.

I bëj thirrje Policisë së Shtetit të tregojë profesionalizëm, të respektojë ligjin, lirinë dhe të drejtat e gazetarëve dhe të distancohet nga praktikat abuzive që na kthejnë pas në kohët më të errëta të dhunimit të të drejtave të njeriut, që e dëmtojnë rëndë imazhin e saj dhe të Shqipërisë.

Apeloj zbardhjen e plotë dhe hetimin me përgjegjshmëri maksimale të kësaj ngjarjeje dhe ndëshkimin pa hezitim të autorëve të këtij akti, si dhe të gjithë atyre që në mënyrë të përsëritur frymëzojnë dhunën, shantazhet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve.”

Të fundit