Si dështoi takimi i shumëpritur Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë, BE hesht - E SHPJEGUAR

Ndërsa kjo e shtunë do të ishte një ditë e veçantë për Kosovën, “festa” u anulua tri ditë para ‘ceremonisë’.

Në 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë në Washington pritej të zhvillohej një takim në Shtëpinë e Bardhë mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe atij të Kosovës, Hashim Thaçi, nga e cila pritej të firmosej një marrëveshje ekonomike mes dy vendeve.

Megjithatë, takimi shkoi drejt dështimit për shkak të publikimit dje të dy aktakuzave të para nga Zyra e Prokurorisë Speciale ndaj ish-liderëve të UÇK-së, presidentit Hashim Thaçi dhe Kadri Veselit, kreut të PDK-së.

Ata akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit, krime lufte, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

“Më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Në Aktakuzë pretendohet se Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme.

Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë“, thuhet në njoftimin e Zyrës së Prokurorit Special.

Në media po komentohet fakti se kanë kaluar gati më shumë se dy vite që kur Kuvendi i Kosovës kishte tentuar shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale, ndërsa, tri ditë para takimit në Washington erdhi publikimi i propozim-aktakuzës.

Megjithatë, menjëherë pas publikimit, presidenti Thaçi anuloi takimin në Shtëpinë e Bardhë.

Lajmi u konfirmua mbrëmë në rrjetet sociale nga i dërguari special i Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

“Unë e respektoj vendimin e tij për të mos marrë pjesë në diskutimet, derisa të zgjidhen çështjet ligjore të këtyre pretendimeve”, ka thënë Grenell, duke njoftuar se në vend të tij do të ishte kryeministri Avdullah Hoti.

Por, edhe ky i fundit njoftoi sot në mëngjes se nuk mund të jetë pjesë e takimit të 27 qershorit, për shkak të zhvillimeve të reja në Kosovë.

“Për shkak të zhvillimeve të reja në Prishtinë si rezultat i akuzave të dorëzuara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, më duhet të kthehem në Prishtinë për tu marrë me situatën.
E kam njoftuar Ambasadorin Grenell se nuk mund të marrë pjesë në takimin e datës 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë”, shkruan Hoti, duke vulosur kështu dështimin e takimit të shumëpritur.

Reagimi ‘pa koment’ i BE

Bashkimi Evropian nuk ka pranuar të komentojë aktakuzat kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme, Peter Stano tha vetëm se BE mbështet fuqishëm punën e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“Nuk komentojmë procedurat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe të Dhomave të Specializuara dhe të gjitha pyetjet në lidhje me punën dhe procedurat duhet t’u drejtohen atyre. Ato janë demonstrim i rëndësishëm i angazhimit të Kosovës për sundim të ligjit, që është një element thelbësor për përparimin e Kosovës në rrugën e integrimit në BE dhe për angazhimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor në tërësi”, tha Stano.

Sipas tij, është me rëndësi të veçantë që Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të jenë në gjendje të vazhdojnë punën e tyre në mënyrë të pavarur dhe pa ndonjë ndërhyrje nga jashtë.

Si e arsyetoi vendimin Zyra e Prokurorit të Specializuar

Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka arsyetuar vendimin e fundit me faktin se po të mos publikohej do të rrezikohej procesi. Siç raporton Koha, publikimi i aktakuzave erdhi për shkak të tentativave të vazhdueshme të të dyshuarve, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, që të shfuqizojnë Ligjin që mundëson punën e Speciales.

Ndryshimi i qëndrimit të 4 deputetëve të PDK-së në vitin 2015 kishte bërë që të votohen për herë të dytë amendamentet kushtetuese që mundësuan funksionalizimin e Gjykatës Speciale.

Por dy vjet më vonë, në një lëvizje të papritur, Hashim Thaçi, e PDK-ja ndryshuan qëndrimin. Thirrjet se Gjykata do të pastrojë luftën e UÇK-së u kthyen në kundërshtim për Specialen.

Menjëherë pas kësaj filluan tentimet e para për shfuqizimin e Ligjit që lejoi punën e Gjykatës dhe të Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Fillimisht, në dhjetor të 2017-s, organizatat e dala nga lufta filluan një peticion që kërkohej ndryshimi i këtij ligji. Por kjo nuk mbeti tentativa e vetme.

Më 22 dhjetor të po këtij viti, 43 deputetë të Kuvendit të Kosovës pas një seance të zakonshme filluan të mblidhnin nënshkrime për një seancë të jashtëzakonshme në të cilën do të votohej rrëzimi i Ligjit për Gjykatën Speciale.

Një gjë e tillë kishte nxitur reagimin e bashkësisë ndërkombëtare. Thikë pas shpine e kishte quajtur këtë tentativë ambasadori i atëhershëm i SHBA-së në Kosovë, e ai britanik – natën më të rrezikshme të pasluftës në Kosovë.

Por, një nismë të tillë e kishte mbështetur presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Nën presionin e ndërkombëtarëve, Kryesia e Kuvendit të Kosovës nuk arriti të thërriste seancën e jashtëzakonshme në mungesë të kuorumit, meqë LDK-ja dhe Vetëvendosje mungonin.

Gjithashtu, në mars të 2020-s, KOHA ka publikuar një letër që presidenti Hashim Thaçi i kishte shkruar sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, ku Thaçi ankohet për mospunën e duhur të Dhomave të Specializuara.

“Më duhet të shpreh rezerva serioze, në emër të institucioneve të Kosovës, që Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit nuk kanë dhënë rezultate siç është paraparë me mandatin e vet të përcaktuar në letrat e BE-së me marrëveshjen me shtetin nikoqir, Holandën”, thuhej në letrën e Thaçit.

Që nga funksionalizimi i Dhomave të Specializuara në Hagë janë intervistuar qindra ish-zyrtarë të UÇK-së.

Lexo edhe: Ngritja e akuzave nga Prokurori i Specializuar, DASH: Hap përpara për drejtësinë në Kosovë