Flash News

KRYESORE

S’jemi policë rreshti, harrojeni”, kryebashkiaku i PS përplaset me ministrat: Fola mbrëmë me Ramën, po na injoroni; Lleshaj: Po ju kursej!

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi dhe ai i Brendshëm, Sandër Lleshaj kanë mbledhur Task-Forcën për turizmin, me pjesëmarrjen e të gjithë kryebashkiakëve dhe prefektët lidhur me mbarëvajtjen e sezonit.

Pas kryetares së bashkisë Shkodër, Voltana Ademi e cila ngriti shqetësimin se IKMT ndërhyn pa njoftuar për shembjen e godinave pa leje në vijën bregdetare, por edhe se po bëhen diferencime, ka reaguar me rezerva edhe kreu i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu.

Sipas tij, IKMT po vepron si çetë pa dijeninë e bashkisë dhe se po injorohet roli i njësisë vendore në disa drejtime, duke rrezikuar kështu edhe mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Nuk desha me fol, por meqë qenka shqetësimi i të gjithëve, bashkohem me shqetësimin e zonjës Voltana. IKMT nuk duhet të veprojë si çetë pa dijeninë e bashkisë. Mos të harrojmë se jemi në 10 qershor dhe jemi në prag të sezonit turistik dhe barra bie mbi ne.

Të vijë IKMT të bëjë rrëmujë pa ditë bashkia, kjo për mua është e parregullt. Duhet vijë me diskutim paraprak. Nëse vjen shemb objekte dhe më le inertet dhe unë s’kam kapacitet për t’i larguar, ti ma shkatërron turizmin komplet.

Nëse bëhet kjo unë si bashki refuzoj të marr pjesë në tilla aksione që injorojnë bashkinë. Ia thashë edhe kryeministrit mbrëmë, nuk jemi ushtarë rreshti, por krerë të njësisë vendore. Nëse mendoni se jemi policë të rreshtit, harrojeni. Përgjegjësinë e kemi ne. Koha që ligjin për qeverisjen vendore të shihet me kujdes se boll, boll është bërë izolimi i kompetencave të pushtetit lokal, sa ne të injorohemi në mënyrë kaq të çuditshme.

Ndaj të diskutojmë se ka Këshill Bashkiak, strategji zhvillimi, ka  30 vjet pa leje, tani në kohën e sezonit turistik nis shembja. Unë e kuptoj edhe efektin e SMS-ve, lobingjeve, por kjo s’do të thotë të vihen SMS-të para institucioneve serioze, e tillë është bashkia. Në territorin e bashkisë Lezhë ka një staf që vepron”, u shpreh Ndreu, të cilit i është përgjigjur fillimisht ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Do t’i kurseja disa gjëra zoti kryetar. IKMT është strukturë e respektuar ligjore që ka mbajt një barrë të madhe në rivendosjen e ligjshmërisë në një vend të pushuar nga paligjshmëria. Protokollet janë përcaktuar me ligj. Ajo që pritet nga krerët e bashkive është që të jenë proaktivë ne vendosjen e ligjit dhe ju garantoj se IKMT do e vijojë në funksion të ligjit, në raport me shkelësit IKMT vepron drejtpërdrejt dhe nuk marrin autorizim nga ministri, apo kreu i partisë por nga ligji. Nëse ka devijime, ndërhyni për ta denoncuar në organet përgjegjëse”, përfundoi ministri.

Pas Lleshajt, Ndreu kërkoi sërish fjalën, por nuk u lejua nga ministri Klosi.

Ndreu: Më fal mund të jap një përgjigje?

Klosi: Jo jo, dakord do ta japësh përgjigjen

Ndreu: Avash se ka një shqetësim, ana keni thirrur për të diskutuar?

Klosi: Dakord, do vazhdojë mbledhja edhe 5 orë

Ndreu: 5 orë s’kam kohë unë me ndejt

Lexo edhe: Aksion në orët e para të mëngjesit, IKMT nis shembjen e godinave në plazhet e Shkodrës, Velipojës dhe në Karaburun

Lexo edhe: Velipojë/ Denoncon ish-deputeti: Shembjet e IKMT vetëm ndaj atyre që denoncuan PS në dy zgjedhjet e fundit

Velipojë/ “Jeni privat a c’jeni”, sherr mes policisë dhe pronareve të lokaleve pas aksionit të IKMT

Të fundit