Flash News

KRYESORE

Skadon pas dy muajsh ‘fatkeqësia natyrore’, cilat janë masat që do të mbeten në fuqi dhe skenarët nëse tejmbushen spitalet

Skadon pas dy muajsh ‘fatkeqësia natyrore’, cilat janë

Sot, ka përfunduar zyrtarisht gjendja e fatkeqësisë natyrore e votuar në 23 prill në Kuvend me vendim të Këshillit të Ministrave, për shkak të pandemisë covid-19 që përfshiu edhe Shqipërinë.

Kjo gjendje nuk do të shtyhet, ndonëse ka patur një trend në rritje gjatë javëve së fundit sa i përket numrit të shtuar të rasteve pozitive ditore, por edhe të shtrimeve në Spitalin Infektiv në QSUT.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në një komunikim online deklaroi se pavarësisht kësaj situate, do të vijojnë të mbeten në fuqi disa prej masave të domosdoshme anti-covid si: do të jenë të ndaluara grumbullimet e çdo lloji, karantinimi i personave të konfirmuar me COVID19 si dhe masat për të kufizuar përhapjen e infeksionit.

“Përfundimi i gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk e ul gatishmërinë tonë në përballje me këtë virus të rrezikshëm, pasi vendi vijon të jetë në gjendje epidemie si pasojë e situatës së shkaktuar nga SARS-COV2.

Që do të thotë që do të vijojnë të mbeten në fuqi të gjitha masat e marra në kuadër të gjendjes se epidemisë. Bazuar në ligjin për sëmundjet infektive, do të vijojnë të jenë të ndaluara grumbullimet e çdo lloji, si rrezik i lartë për përhapjen e virusit, do të vijojë karantinimi i personave të konfirmuar me COVID19 si rregull përgjatë gjithë kësaj gjendje, do të vijojnë të jenë në fuqi masat për të kufizuar përhapjen e infeksionit.

Janë armët e vetme që kemi, për të shmangur përhapjen e këtij virusi të rrezikshëm që është ende prezent”, tha ministrja.

Skenarët për të përballuar fluksin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka lajmëruar hapjen e spitalit të dytë COVID, një strukturë mbështetëse brenda QSUT (spitali i ish-Kirurgjive) për të përballuar fluksin në rritje të të prekurve me COVID19 që kanë nevojë për trajtim spitalor.

“Me plotësimin e kapaciteteve të spitalit Infektiv, po përgatitemi për hapjen e ish-Kirurgjive në QSUT për të përballuar fluksin actual dhe po përfundojmë rekrutimin e stafit mjekësor dhe infermieror që do të shërbejë në këtë spital”, tha Manastirliu.

Manastirliu shpjegoi hapat që do të ndërmerren nëse numri rritet akoma më tepër, sidomos sa i takon rasteve në terapi intensive.

“Paralelisht me hapjen e ish-Kirurgjive në QSUT, nëse do të kemi shtim të rasteve në terapi intensive, do të hapim spitalin COVID2, pra spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ dhe në skenarin tjetër, nëse shifrat kapërcejnë këto kapacitete, do të hapet spitali COVID4 në aksin Tiranë-Durrës,i cili do të administrohet nga QSUT”,tha Manastirliu.

Spitalet COVID3 dhe 4 janë parashikuar të jenë spitale karantinë, ku trajtohen kryesisht pacientë që gjendjen akute dhe janë në fazë rekuperimi.

Çfarë deklaroi Rama

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se gjendja e fatkeqësisë natyrore nuk mund të shtyhet përtej 23 qershorit, por po mendohet se do vijojnë të jenë të monitoruara vetëm zonat bregdetare gjatë sezonit të verës.

“Nuk ka arsye për të shtyrë gjendjen e fatkeqësisë natyre, po ekzaminojmë idenë e një zone të kufizuar vetë në vijën bregdetare, për të patur gjatë verës mundësinë që të ushtrojmë fuqinë legjislative të situatës për të ndihmuar në mbrojtjen nga përhapja.

Nëse do të kemi një zonim vetëm në bregdet pa përfshirë zonat urbane, p.sh jo në Vlorë, por në plazhin e Vlorës, është diçka që po e studiojmë se do ishte ndihmëse. Por nuk e kemi marrë ende si vendim”, tha Rama në një konferencë me gazetarët në 2 qershor.

Lexo: Hiqet kufizimi për transportin publik, ky është kushti që s’do tolerohet në rast thyerje

Të fundit