Flash News

KRYESORE

Sulmi terrorist në Zelandën e Re; kush është Brenton Tarrant, mbështetës i teorisë së ‘Zëvendësimit të Madh’

Sulmi terrorist në Zelandën e Re; kush është Brenton

Brenton Tarrant, 28 vjeç, është autor i sulmit terrorist në Zelandën e Re, që i mori jetën 49 njerëzve të besimit mysliman. Ai ka kryer krimin më të rëndë në historinë e shtetit ishullor dhe ndër më tronditësin në historinë e botës.

Por kush është terroristi Brenton Tarrant?

Ai ka lindur në Grafton, Australi, dhe besohet se ka një motër, ndërkohë që babai i ka vdekur 10 vite më parë. Personat e paktë që kanë folur pas tragjedisë deklarojnë se Tarrant punonte si instruktor palestre, shumë i dedikuar në punën që bënte dhe i sjellshëm me njerëzit.

Gjithsesi, 28 vjeçari nuk i kishte fshehur kurrë idetë e tij radikale të ‘supermacisë së bardhë’, madje kishte shkruar edhe një manifest, i frymëzuar nga teoria e ‘Zëvendësimit të Madh’.

Ai e identifikonte më shumë veten si evropian sesa australian kur shprehej se prindërit e tij ishin me origjinë skoceze, irlandeze dhe angleze.

“Jam një njeri i zakonshëm i bardhë, nga një familje normale. Kam patur një fëmijëri normale, pa asnjë problem të madh”, e përshkruante Tarrant veten në rrjetet sociale.

Brenton Tarrant e kishte përgatitur prej dy vitesh masakrën që do kryente, ndonëse Zelanda e Re nuk ishte destinacioni i parë që kishte planifikuar.

Ai nuk e ka fshehur kurrë frymëzimin që kishte marrë nga Anders Behring Breivik, terroristi norvegjez që në vitin 2011-ën vrau 77 njerëz.

Pavarësisht se idetë radikale i kishte bërë publike në rrjetet sociale, autoritetet në Zelandën e Re nuk e kishin skeduar si person problematik, kjo edhe për arsye se ai kishte vetëm tre muaj në këtë shtet. Ndërkohë që, autoritetet australiane, edhe nga deklarimet e politikanëve, duket se kanë patur informacione për veprimtaritë e Brenton.

Teoria e Zëvendësimit të Madh

Zëvendësimi i madh është një teori konspirative e ekstremit të djathtë, e cila thotë se popullsia e bardhë katolike franceze dhe popullsia e bardhë e krishterë evropiane në përgjithësi, është duke u zëvendësuar sistematikisht me njerëz jo evropianë, veçanërisht me popullsinë e Lindjes së Mesme, Afrikës Veriut dhe Sub-Sahariane, përmes emigrimit masiv dhe rritjes demografike. Ajo lidh praninë e muslimanëve në Francë me “rrezikun potencial” në shkatërrim e kulturës dhe civilizimit francez.

Kjo teori konspirative bën përgjegjëse një elite globale dhe liberale, si Bashkimi Europian, që portretizohet si drejtuese e një komploti apo skeme të planifikuar dhe të paramenduar për të kryer zëvendësimin e popujve evropianë.

Teoria e ‘Zëvendësimit të Madh’ është promovuar nga shkrimtari francez, Renaud Camus, i cili ka publikuar edhe një libër mbi këtë çështje.

Të fundit