Flash News

KRYESORE

U përplasën për Shengenin, Kurti s’e lë Tiranën pa një ‘kunj’ për Ramën: Shqipëria ndër vendet më të varfra jo vetëm në rajon

U përplasën për Shengenin, Kurti s’e lë Tiranën

Albin Kurti, nën cilësinë e kryeministrit të ri të Kosovës ka përmbyllur vizitën e tij tri-orëshe në Tiranë me një takim me kreun e PD, Lulzim Basha. Takimi mes tyre ka zgjatur rreth 20 minuta në selinë blu.

Pas takimit, kryeministri i Kosovës tha se të dyja vendet duhet të kenë bashkëpunim që të jenë në nivel të detyrës jo vetëm zyrtare, por edhe historike për qytetarët. Kurti theksoi se të dyja vendet përballen me varfërinë dhe papunësinë.

“Unë pata takim të përzemërt e konstruktiv me Kryetarin e PD, me liderin e opozitës zotin Lulzim Basha. Pozitë opozitë në të dy anët e kufirit, Kuvendi dhe qeveria do të bashkëpunojmë në mënyrë që Kosovë dhe Shqipëria të jenë në nivel të detyrës jo vetëm zyrtare, por edhe historike për qytetarët tanë që sic e dimë janë edhe me varfërinë më të madhe, por edhe me papunësinë më të madhe jo vetëm në rajonin tonë, pra është obligim i yni si politikanë që kudo që jemi tërë kohën të jemi në shërbim të qytetarëve për të ngritur dinjitetin dhe mirëqenien e tyre”, tha Kurti.

Ndërkohë, kreu i PD Lulzim Basha tha se partia e tij ka si prioritet bashkëpunimin me qeverinë e Kosovës.

“Dua ta falënderoj kryeministrin e Kosovës për vizitën në selinë e Partisë Demokratike. E sigurova se për Partinë Demokratike dhe për opozitën e bashkuar prioritetet e bashkëpunimit me Republikën e Kosovës janë të qarta. Dhe ne do të bëjmë gjithçka për të ndihmuar në tregtinë e lirë, në integrimin ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës, për t’i dhënë shanse për punësim qytetarëve tanë e, në veçanti rinisë, për të ndalur shpopullimin që është produkt i drejtpërdrejtë i korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga krimi i organizua, sikundër edhe për angazhimin tonë, sot dhe nesër, për të vazhduar fuqimisht mbështetjen nga Republika e Shqipërisë për Republikën e Kosovës, për njohjet ndërkombëtare dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë, sikundër edhe për heqjen e vizave edhe për qytetarët e Kosovës. Kryeministri Kurti, qeveria e Kosovës, institucionet e Kosovës dhe qytetarët e Republikës së Kosovës mund të mbështeten, siç janë mbështetur deri më sot, plotësisht tek Partia Demokratike, tek opozita e bashkuar për t’i dhënë çdo ndihmë dhe për të marrë çdo vendim që do të mbështesë objektivat e tyre, sot në opozitë dhe nesër, kur qytetarët e Republikës së Shqipërisë të na besojnë qeverisjen e vendit me votën e lirë dhe të ndershme”, tha Basha.

Kujtojmë se në takimin e parë të Kurtit me Ramën, ky i fundit pati një qëndrim ndryshe nga kryeministri i Kosovës lidhur me Shengenin Ballkanik, ndërsa para largimit nga Tirana, ku iu desh të anulonte edhe vizitën me kreun e bashkisë së Tiranës, Veliaj, e ka cilësuar Shqipërinë si një ndër vendet më të varfra jo vetëm në Rajon, ndersa mund të shihet indirekt si një mesazh për kryeministrin e vendit, Rama.

Të fundit