Flash News

KRYESORE

U vra një vit pas lirimit, kush është gjyqtarja që i hapi qelinë Hekuran Billës, më herët dha liri edhe për Genc Tafilin, Indrit Dokles, Ilir Pajës

U vra një vit pas lirimit, kush është gjyqtarja që i hapi

Zbardhja e plotë e detajeve të atentatit mafioz ndaj Hekuran Billës, i njohur ndryshe edhe si Herald Bilali, mbrëmjen e djeshme nxjerr në skenë sistemin problematik të gjyqësorit në Shqipëri, me të cilin është i implikuar edhe emri i gjykatëses Enkelejda Hoxha.

Gjyqtarja Enkelejda Hoxha nuk është hera e parë që përflitet në media pasi më herët ajo ka lënë të lirë disa nga eksponentët më rrezikshëm të botës së krimit. Nën hetim për hapjen e dyerve të burgut të disa prej të dënuarve më të rrezikshëm në vend mes tyre Indrit Dokles, Ilir Pajës, Genc Tafilit, dhe Rexhep Rrajes djalit të deputetit socialist Rahman Rraja, emri i gjyqtares Enkelejda Hoxha është i përfshirë edhe në lirimin nga burgu të Hekuran Billës.

I akuzuar për vrasjen me plumb në kokë të një 22-vjeçari shqiptar, Preng Marku, në vitin 2006 në Angli- si dhe plagosjen e dy të tjerëve- Billa ishte dënuar 32 vite në Britaninë e Madhe (dënim i cili cilësohet si ekstrem nga drejtësia angleze), por që pas ekstradimit në Shqipëri, drejtësia shqiptare dhe kryesisht gjyqtarja Enkelejda Hoxha i fali atij 5 vite duke e nxjerrë me kusht.

Billës me një vendim i gjykatës së Apelit Tiranës iu konvertua dënimi i dhënë nga gjykata britanike, në 25 vjet heqje lirie. Por në vitin 2019, Hekuran Billa përmes avokatit Aldo Tabaku pretendoi se kishte vuajtur 19 vite heqje lirie dhe Gjykata e Krujës e konkretisht gjyqtarja Enkelejda Hoxha, vlerësoi se Hekuran Billa kishte nevojë për të dale në liri, pasi familjarët e tij kishin nevojë për të.

Vendimi që mban datën 22 shkurt urdhëron lirimin me kusht për Billën për pjesën e pavuajtur të dënimit prej pesë vitesh. Pra viktima ishte në shërbim prove deri në vitin 2024, me kushtin që të rehabilitohej dhe të mos shoqërohej me persona problematikë.

Por kush është Enkelejda Hoxha, për të cilën Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka nisur hetimin administrativ? Historia e saj si pjesë e gjyqësorit është e implikuar me lirimin e disa nga të dënuarve më të rrezikshëm. Hoxha liroi ish-numrin dy të bandës së Durrësit Endrit Dokle duke i hequr dënimin përjetë, Genc Tafilin, i dënuar për vrasjen e komisarit të Policisë Arben Zylyftari si dhe Ilir Pajës, të cilit i kishte mbetur mbi një vit dënim.

Vendimet e dyshimta të Enkelejda Hoxhës kanë bërë që ajo të marrë kritika edhe nga Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila vendimin e saj për lirimin e ish-numrit dy të bandës së Durrësit Endrit Dokle pak muaj më parë, e cilësoi si kambanë alarmi duke kërkuar pezullimin e saj nga detyra. po ashtu Gjonaj i ka kërkuar prokurorisë ndjekje penale për të, ndërsa ILD-ja nisi hetimin administrativ.

Të fundit