Flash News

KRYESORE

Video/ Balenat dhe delfinët vizitojnë Adriatikun, ekspertët: Natyra ka gjetur pak paqe gjatë pandemisë

Video/ Balenat dhe delfinët vizitojnë Adriatikun, ekspertët:

Pamjet e balenave dhe delfinëve në ujërat e Adriatikut, po qarkullojnë së fundmi, duke u kthyer në virale dhe duke nxitur sugjerimet se natyra "më në fund ka gjetur pak paqe" gjatë pandemisë sepse trafiku detar është zvogëluar në mënyrë drastike.

Hrvoje Cizmek, një biolog detar nga shoqëria e kërkuesve detarë kroatë, tha se kjo teori është ndoshta e saktë, pasi gjitarët detarë si delfinët dhe balenat përdorin tinguj për të komunikuar pasi trafiku i rëndë njerëzor ndërhyn, duke i detyruar ata të shmangin ujërat e frekuentuara .

Por ai tha se balenat shfaqen në Adriatik gjithsesi herë pas here.

"Sa i përket situatës aktuale, veçanërisht me balenën e madhe që u vu re disa ditë më parë dhe që ndoshta është akoma diku në detin Adriatik, kjo është një dukuri normale në këtë kohë të vitit," tha Cizmek, duke shpjeguar se Mesdheu është shtëpia e një popullsie balenash, disa prej të cilave në prill ose maj vijnë në Adriatik.

Një prej tyre u pa në ujërat jashtë ishullit kroat Solta. Ujërat në zonën e Splitit u vizituan ndërkohë nga tetë delfinë së fundmi. Cizmek thotë se këta gjitarë tërheqës tani po shihen shumë më afër tokës se zakonisht.

"Mund të ketë shumë më tepër delfinë që njerëzit mund t'i shohin tani. Kemi shumë raporte se delfinët shpesh mund të shihen nga ballkonet e disa shtëpive buzë detit, me pamje nga një pjesë e madhe e detit, gjiret dhe disa kanale, "tha ai.

"Disa benefite po i marrim gjatë krizës korona," tha ai. “Këto gjëra të mira nuk kanë të bëjnë me njerëzit, por kryesisht për natyrën. Flitet shumë edhe për përmirësimin e cilësisë ajrit”, vuri në dukje biologu. "Trafiku detar ka rënë, njerëzit po lundrojnë shumë më pak, nuk kanë qenë në det, kështu që diçka po ndodh."

Ai gjithashtu tha se deti është më i pastër në anën tjetër të Adriatikut, afër Venecias, në Itali, i cili është goditur fort nga epidemia dhe ku lëvizja mbetet e kufizuar shumë.

"Në Venecia, uji është pastruar sepse trafiku lokal është ndalur", tha Cizmek.

Sidoqoftë, Cizmek beson se njerëzit mund të mësojnë nga kjo situatë dhe të ndërgjegjësohen për mjedisin e tyre. "Natyra po merr frymë," tha ai, duke shtuar se pasi të mbarojë kjo situatë, "shpresojmë që së bashku, njerëzit do të fillojnë ta vlerësojnë natyrën pak më mirë."

Përkthyer nga Balkan Insight

Të fundit