Vrasja e ish-policit, Prokuroria pushon çështjen për “të fortin” e “Myslym Shyrit”, Gjergj Cukali

Prokuroria pushon çështjen penale për Gjergj Cukalin. “I forti” i “Myslym Shyrit” ishte i dyshuar për vrasjen e ish-policit Arben Bilali në janar të vitit 2019.

Cukali u lirua pas disa muajve burgim pasi Apeli konsideroi të papërdorshme analizën e ADN, që e lidhte me makinën e vrasësve. Pas rrëzimit te provës shkencore prokuroria nuk gjeti me të dhëna që mund ta implikonin Cukalin në krim.

Por kush është Gjergj Cukali? Në fillim të muajit shkurt Operacioni “Forca e Ligjit”, i njohur edhe si ligji “Anti-KÇK”, i kërkoi të fortit të rrugës “Myslym Shyri” të deklaronte pasurinë.

Cukali njihet si një nga të fortët e rrugës “Myslym Shyri”, dhe si miku i ngushtë i Emilajno Shullazit, kreu i bandës Shullazi.

Në maj të vitit të shkuar u arrestua për vrasjen e ish-policit Arben Bilali. Më herët ka qenë i dënuar për trafik droge dhe rrëmbim personi.

Më 24 nëntor 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Cukalin me 10 vite burg për rrëmbimin e Fatjon Demirlikës në vitin 2004, për 100 mijë euro.

Në vitin  2012, Cukali u arrestua sepse u kap me një pistoletë pa leje dhe me një krehër me 17 fishekë.

Në muajin korrik të 2016, policia shkatërroi grupin e Gjergj Cukalit, që merrej me shpërndarjen e drogërave të forta në kryeqytet, kurse  në vitin 2018 në datë 12 prill, Cukali u arrestua pasi shkeli masën e sigurisë ‘Arrest shtëpie’.