Shtyrje hetimesh, mesazhi i Tahirit: Nuk kalon njeri pa marrë faturën që meriton

Ish-ministri Saimir Tahiri, i cili prej më shumë se një viti është nën hetim nga Prokuroria, pas shtyrjes për të pestën herë të afatit të hetimin ndaj tij, u shpreh për median se pret që t’i shkojë deri në fund drejtësisë.

“Pres që t’i shkoj drejtësisë deri në fund pa bërë gjithçka që kanë bërë të tjerët.  Një gjendje e tillë mjegullnaje nuk mund të vazhdojë dot më dhe për këtë arsye pavarësisht që hetimet kanë zgjatur pesë herë kjo është hera e parë që unë kërkoj që të mos ndodhë më. Drejtësia e vonuar nuk është më drejtësi. Dhe nëse kjo ndodh me mua imagjino si ndodh me të tjerët”, u shpreh Tahiri.

I pyetur më tej nëse po mbahet peng nga Prokuroria ai u shpreh, “Unë nuk mbahem peng nga askush, unë kam respektuar drejtësinë, sepse mendoj që çdo vendim si pasojë e deklaratave të mia nuk do ishte vendim i drejtë. Unë kam heshtur për të marrë atë që më takon”.

Por edhe ditën e sotme, seanca u shty për të hënën. I pyetur për arsyet e shtyrjes, dukeqenëse ishte një seancë me dyer të mbyllura, Tahiri u shpreh: “Ma besoni, kjo çështje ka kapërcyer çdo limit të arsyeshëm. Sot seanca u shty merre me mend. Nuk kishte asnjë sekret. Ju keni aq shumë mesazhe në celularët tuaj, sepse gjykata kërkoi dokumente që prokurorët nuk i kishin dhe u shty për të hënën”, tha ai.

I pyetur nëse do publikohen mesazhet e prokurorëve për të cilat foli, Tahiri tha se ka kohë për të gjitha. “Në këtë vend që jemi ne, nuk kalon njeri pa marrë faturën që i takon”, u shpreh Tahiri.