Flash News

KRYESORE

8 Dhjetori dhe 2 Marsi, kur Presidenti thërret në shesh popullin... dhe një ‘konspiracion hyjnor’ për Ilir Metën

Që Ilir Meta duket ‘i fiksuar’ pas datave historike kjo bëhet shumë e qartë, kur aksionet më të rëndësishme politike ai i lidh me zhvillimet më të mëdha në historinë e kombit.

Presidenti ka thirrur një tubim antiqeveritar më 2 mars. Duke marrë shkas edhe nga simbolika shumë e fortë që kjo datë mbart, bashkimi dhe lënia mënjanë e dallimeve kundër armikut të përbashkët, Ilir Meta ka zgjedhur pikërisht të hënën e parë të muajit mars, duke ‘thyer’ kështu edhe traditën që protestat e mëdha bëhen fundjavave, edhe për shkak se shumica dërrmuese e qytetarëve nuk janë në punë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Ashtu siç më 2 mars 1444 Skënderbeu i mblodhi të gjithë shqiptarët nën një udhëheqje, nën lidershipin e tij, për të shpartalluar otomanët, ashtu edhe Ilir Meta do të mbledhë të gjithë popullin, nën udhëheqjen e tij, më 2 mars 2020 për “shpartallimin e grushtit të Shtetit”. Ai i ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Ndërkohë që një nismë të ngjashme, këtë herë për të nisur një dialog me Shqipërinë, Presidenti e bëri edhe 3 muaj më parë, kur paralajmëroi një protestë të madhe në sheshin “Demokracia” në Qytetin Studenti.

Simbolika ishte e fortë serish. Në Ditën e Rinisë, Meta vendosi që të kulmojë aksionin e tij politik kundër mazhorancës për ta nxjerrë sipas tij vendin nga kriza që e kishte pllakosur, vetëm pak ditë pasi propozoi një nismë për referendum popullor.

Në të dyja rastet analogjia që përdor Presidenti është e qartë. Në të parin, atë të 8 Dhjetorit, ai, ngjashëm me lëvizjen studentore që rrëzoi sistemin komunist në Shqipëri, do të nxiste një lëvizje tjetër për të rrëzuar një sistem që në shumë aspekte sipas Presidentit është i ngjashëm me atë të viteve 1945-1991. Tërmeti i 26 nëntorit bëri që Presidenti ta anulojë tubimin në Qytetin Studenti.

Ndërkohë që në rastin e dytë, në analogji me ‘Besëlidhjen’ shqiptare të Lezhës me Gjergj Kastriotin kundër pushtuesve të vendit, Ilir Meta kërkon një tjetër ‘Besëlidhje’, një tjetër bashkim, kundër ‘pushtuesve të Kushtetutës’, siç e konsideron ai mazhorancën.

Por duke qenë se tërmeti i 26 nëntorit ia prishi ‘planet’ Ilir Metës, Presidenti që nga e mërkura kur e shpalli 2 Marsin po ecën drejt “Besëlidhjes së re me shqiptarët”.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Megjithatë dy ditët e fundit një tjetër realitet është krijuar. Shqetësimi që ka kapur vendin në lidhje me koronavirusin, që tashmë është shumë pranë nesh. Në Itali situatë është shumë e rënduar pas disa viktimave dhe qindra të prekurve, që janë numëruar vetëm në pak ditë.

Kjo situatë mund të bëjë që grumbullime të tilla kaq masive të jenë një rrezik shumë i madh për shëndetin e popullatës. Edhe nëse institucionet nuk e marrin një vendim të tillë, është e gjithëpranuar këshilla se në situata të tilla emergjencash shëndetësore një mbledhje kaq masive është e gabuar.

Duket si një mallkim për Presidentin dhe një ‘konspiracion hyjnor’. Dhe fërkimet kanë nisur. Vetëm pak më parë, LSI e cilësoi alibi një lidhje të tillë. Luan Rama tha se çdo alibi i shërben “anti-kushtetueshmërisë”.

Presidenti Meta duket i vendosur drejt tubimit të tij më 2 mars. Ai vijon fushatën intensive. Deri të hënën duhet edhe një javë, ndërkohë të shpresojmë që koronavirusi të rrijë sa më larg Shqipërisë dhe shqiptarëve, sigurisht që ky urim s’ka asnjë lidhje me 2 marsin.

Të fundit