A do ketë sot ‘tym të bardhë’?/ Katër ‘pikat e nxehta’ që mbajnë pezull marrëveshjen për Reformën Zgjedhore  

Pas 9 orësh “ngujimi” në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës , palët e Këshillit Politik sërish nuk kanë arritur të prodhojnë dje një marrëveshje për Reformën Zgjedhore.

Me gjithë angazhimin e ndërkombëtarëve, përkatësisht ambasadores së SHBA, Yuri Kim, ambasadori i BE, Luigi Soreca dhe ai i Britanisë së Madhe, Duncan Norman sërish nuk u gjet dakordësia mes palëve dhe mbledhja u shty për sot.

Mes intensitetit të ditës së djeshme, progresi mes palëve Damian Gjiknuri nga PS, Oerd Bylykbashi nga PD, Petrit Vasili nga LSI dhe Rudina Hajdari nga opozita parlamentare është rëndë dakord për identifikimin biometrik të votuesve, pra kërkesa e opozitës që parashikon marrjen e shenjave të gishtave për çdo votues, hedhja e shenjës në një server kombëtar etj.

Ashtu siç citoi mbrëmë pas mbledhjes së gjatë edhe ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, pavarësisht progresit të konstatuar, sërish ka ende punë për të bërë, për arritjen e një marrëveshjeje.

Pikat pa konsensus

Katër janë çështjet që palët nuk kanë gjetur ende dakordësi. Pika më e nxehtë është përbërja e administratës zgjedhore.

Mazhoranca e përfaqësuar nga Gjiknuri këmbëngul për depolitizim të plotë të administratës zgjedhore, përfshirë këtu komisionet zgjedhore me administratë të depolitizuar, kurse PD kërkon garanci në komisionet ku nuk ka 100% identifikim biometrik, të ketë përfaqësues si vëzhgues dhe shuarjen e mundësive për manipulim votash.

Gjithashtu, palët kanë ende punë për një dakordësi sa i takon riformatimit të KQZ, funksionimi i Gjykatës Kushtetuese si Kolegj Zgjedhor, si dhe qeveria kujdestare.

****

Në orën 11.00 nisi sot takimi i parë mes Këshillit Politik dhe ambasadorëve në rezidencën e SHBA.

Pas përfundimit të mbledhjes që zgjati 1 orë, i pari largohet Damian Gjiknuri nga PS, më pas Oerd Bylykbashi nga PD, Petrit Vasili nga LSI janë shpërndarë drejt selive të tyre të partive për konsultime.

Pas 1 ore ndërprerjeje, Këshilli Politik rikthehet sërish në mbledhje me ambasadorët në rezidencën e Yuri Kim.
Ndërkohë, pas takimeve konsultative, kreu i PD, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi patën gjithashtu një takim mes tyre.

Po ashtu, pas mbledhjes ambasadorja Kim pritet që pasditen e sotme të japë një deklaratë për mediat.

Lexo edhe: Integrimi në BE, Meta: Zbatimi i kushteve fillon me konsensusin për Reformën Zgjedhore

Lexo: Integrimi i Shqipërisë/ Drejtoresha e KE për Ballkanin: Po përgatisim detajet e fundit ku do bazohen negociatat e pranimit