Akuzohen për vrasje, vjedhje dhe kultivim narkotikësh; ekstradohen 3 shqiptarë

Janë ekstraduar brenda 24 orëve të fundit  tre shtetas shqiptarë për vepra të ndryshme penale.

Interpol Tirana dhe Interpol Wiesbaden kanë bërë të mundur arrestimin dhe ekstradimin nga Gjermania drejt vendit tonë i të dënuarit, shtetasit shqiptar, Ilir Kapllanaj, 49 vjeç, nga Fieri.

Kapllanaj  ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor e ka dënuar me 23 vjet burg për veprën penale, “Vrasje me paramendim kryer në bashkëpunim “.  Ai, në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë, në 25 Shkurt 2000, kanë vrarë me armë zjarri shtetasin G.L, banues në Patos.

Gjithashtu u bë i mundur arrestimi në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë i shtetasit G.L, 28 vjeç nga Tropoja.

Shtetasi G.L, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar këtë shtetas me 1 vit e 4 muaj muaj burg për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik, duke ushtruar dhunë fizike, kryer në bashkëpunim”. Po këtë shtetas Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar shtetasin G.L , me 4 vjet burg, për veprën penale “Vjedhje, e kryer në bashkëpunim”.

U bë i mundur edhe ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit R. R., 54 vjeç, nga Vlora. Shtetasi R. R. ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Z.Q.K Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë,  ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për veprën penale “Grupit të Strukturuar Kriminal” dhe “Kultivimit të bimëve narkotike”.