Flash News

KRYESORE

Aleanca me Mero Bazen, si e ndryshoi Edi Rama deklaratën e bërë 12 vite më parë për ngjarjen me Gregor Ramën

Aleanca me Mero Bazen, si e ndryshoi Edi Rama deklaratën e bërë

I ftuar dje në emisionin ‘Studio e Hapur’, kryeministri Edi Rama tregoi një histori të viteve më parë kur kishte gjetur djalin e tij të tmerruar poshtë krevatit pasi kishte dëgjuar deklaratën e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili e akuzonte se nuk kishte pranuar atësinë e Gregorit, por e kishte konsideruar fëmijë të babait të tij, Kristaqit.

Por duke qenë se ishte vetë Rama që e rihapi mbrëmë këtë histori, publikut i duhet kujtuar një deklaratë e tij e ngjashme e bërë në vitin 2006, në emisionin ‘Opinion’.

Në atë periudhë, ‘armiku’ kryesor i Ramës ishte gazetari dhe botuesi i gazetës ‘Tema’, Mero Baze.

Para 12 viteve, Rama tha në emisionin e Blendi Fevziut se, nëse do ta dinte që do të ishte i ftuar dhe Mero Baze nuk do të kishte shkuar, se për shkak të këtij njeriu e kishte gjetur djalin e tij nëntëvjeçar duke qarë poshtë tryezës. Sipas Ramës, kjo gjë kishte ndodhur pasi Gregori kishte lexuar në gazetën e Bazes se i ati në gjyqin e divorcit me nënën, Matildën, i kishte thënë gjykatës se nuk e njihte atësinë e djalit dhe se kjo e kishte atë me të vjehrrin, Kristaqin, babain e Edit.

Por 12 vite janë shumë në politikë dhe sot Rama e ka në krah Mero Bazen dhe median e tij, çka e ka detyruar të mos e përmend më emrin e gazetarit por përgjegjësinë për publikimin e kësaj akuze në gazetën ‘Tema’, t’ja faturojë vetëm ish-kryeministrit Sali Berisha.

Si e priti Gregor Rama akuzën e rëndë të Berishës? Edi Rama: U fut poshtë krevatit i tmerruar

Të fundit