Basha takohet me suksesin e parë

Alfred Lela

Pajtimi i Partive Popullore Europiane me një rezolutë të paraqitur nga kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha, është suksesi i parë ndërkombëtar në një kohë thatësire sa u takon sukseseve të shefit të demokratëve.

Për të kuptuar rëndesën e kësaj rezolute, mjafton të thuhet se partitë që bëjnë pjesë në PPE qeverisin vendet kryesore të Europës dhe ende zotërojnë shumicën në Parlamentin Europian, duke patur edhe Presidenten, në personin e von der Leyden. Kjo do të thotë se pesha politike e partive të të djathës së qendrës në Europë do të jetë në favor të Partisë Demokratike dhe aksionit të saj të brendshëm politik.

Lulzim Basha është në të drejtë që tash e tutje t’iu kujtojë europarlamentarëve, ambasadorëve ministrave të Jashtëm, kryeministrave etj., se vendimi politik i partive që ata përfaqësojnë në Parlamentin Europian është i certifikuar në Rezolutën e Zagrebit.

Duke mbajtur parasysh gjithmonë se rezoluta nuk është legally binding (nuk ka fuqi ligjore), por bart një fuqi simbolike të pakundërshtueshme, më shumë se të gëzojë z. Basha duhet të shqetësojë z. Rama.

Së pari, sepse Rezoluta njeh praninë e krizës politike në Shqipëri, një gjë të cilën kryeministri mundohet ta katapultojë si gjendje fiktive e pranishme vetëm në kokat e kundërshtarëve të tij politikë. Partitë Popullore Europiane përfaqësohen në tryezat dhe ecejaket e integrimit të Shqipërisë në BE me tre personazhe të dorës së parë: kancelaren Merkel, shefen e parlamentit von der Leyden dhe Komisionerin e Zgjerimit të Unionit. Në çdo takim, dy të fundmëve të paktën, do t’u shfaqet bezdia krizës politike shqiptare. Prej së cilës nuk ka kthim pas, sepse krizat marrin fund vetëm duke u zgjidhur.

Së dyti, rezoluta është një shtesë e parehatshme në arkitekturën brutale ndërtuar prej 9 kushteve të Bundestagut gjerman, për të mos thënë se të dy dokomentet nuk janë tjetër veçse parehatia e Berlinit zyrtar me klaustrofobinë e lidershipit politik në mazhorancën e Tiranës. Gjermania është, padyshim, aleati më i fortë dhe i sigurt në rrugën europiane të Shqipërisë, por siç u pa në tetor ajo nuk mjafton. Të dyja, si kushtet e Bundestagut edhe Rezoluta e PPE, kërkojnë një partner në Shqipëri. Rama deri më tash nuk ka dhënë shenja se është ai partneri, kurse Basha ka bërë vetëm nusërimin procedurial të një kryeopozitari, i cili ka vetëm fjalën dhe fjalës së të cilit nuk mund t’i besohet derikur të vijë në pushtet.

Në fund, Rezoluta nuk duhet parë vetëm si një zhvillim që shtyn përpara agjendën demokrate, e cila ka qenë e varfër në agjentë shtytës ndërkombëtarë, por si një ftesë e miqve të Shqipërisë për ta bartur veten përtej kufijve të krizës dhe Shqipërinë në normalitet.