Cakaj pas deklaratës së Macron-it: Fajin nuk e ka qeveria

Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë Gent Cakaj deklaroi se nëse negociatat me BE-në nuk hapen, ky nuk është faji i Shqipërisë. Për këtë ai citoi deklaratën e presidentit Emmanuel Macron, i cili u shpreh se mosçelja e negociatave nuk është çështje e dy shteteve ballkanike, porse në fillim duhet që të reformohet procesi.

“Edhe në rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore, përgjegjësitë nuk janë vetëm të qeverisë. Kjo sepse kemi Maqedoninë Veriore e cila ka ndryshuar edhe emrin e sërish nuk po hapen negociatat. Kjo tregon se BE ka probleme të brendshme më së pari. Nëse presidenti i Francës deklaron se nuk është çështje e dy vendeve, por është çështje e brendshme e BE, ku është përgjegjësia e Qeverive në Tiranë dhe në Shkup? Hapja e negociatave nuk është interes që i takon vetëm qeverisë, por të gjitha palëve.”, tha Cakaj në emisionin “Real Story” në News 24.

Ministri i Jashtëm në detyrë shtoi se shumica e vendeve janë pro mbështetjes së Shqipërisë për anëtarësim, dhe se Maqedonia e Veriut nuk do të ndahet prej Shqipërisë sa i përket një vendimi për negociatat e ky fakt është vulosur ditën e djeshme në Luksemburg.