Flash News

KRYESORE

Cakaj përshëndetet me kryetaren e Kongresit. Pelosi: SHBA mbështet pa rezerva integrimin në BE

Cakaj përshëndetet me kryetaren e Kongresit. Pelosi: SHBA

Në takimin e organizuar në Kongresin amerikan me rastin e 70 vjetorit të krijimit të NATO-s, ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, u përshëndet me kryetaren e Kongresit amerikan Nancy Pelosi.

MEPJ njofton se, ata kanë ndarë qëndrime të përbashkëta për sa i përket forcimit të lidhjes Euro-Atlantike dhe u nënvizua fakti se kjo lidhje ka krijuar jo vetëm siguri dhe stabilitet por edhe premisat për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e forcim të shkëmbimeve politike e kulturore.

“Popujt e vendeve në të dy anët e Atlantikut, pjesë e Aleancës, ndajnë të njëjtat vlera dhe aspirata të mbështetura në parimet e demokracisë, lirisë dhe barazisë” është shprehur Cakaj.

Gjithashtu u diskutua mbi zhvillimet politike në rajonin tonë dhe rolin konstruktiv që ka luajtur dhe vazhdon të luajë Shqipëria në funksion të zhvillimit dhe integrimit të të gjithë rajonit tonë në strukturat Euro-Atlantike.

“Shqipëria ka çmuar përherë partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe ky partneritet përbën një nga elementet kryesorë në politikën e jashtme dhe angazhimin e Shqipërisë në rajonin tonë”, ka theksuar Cakaj.

Nga ana e saj, kryetarja e Kongresit amerikan, Pelosi u shpreh se SHBA-të kanë mbështetur pa rezerva Shqipërinë në rrugëtimin e saj deri në anëtarësimin e plotë në NATO, 10 vjet më parë, e do vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe për aspiratën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.​

Të fundit