Flash News

KRYESORE

Dëbimi nga Shqipëria/ Ambasadori i Iranit e nisi detyrën me përplasje me ish-presidentin Nishani; akuza edhe për diplomatin Roodaki

Dëbimi nga Shqipëria/ Ambasadori i Iranit e nisi detyrën me

Gholamhossein Mohammadnia, ambasador i Iranit në Tiranë, u dëbua nga vendi ynë për shkak se akuzohet se ka kërcënuar sigurinë kombëtare. Ndonëse jo në rrugë zyrtare, raportohet se Ambasada në Tiranë ka ndihmuar disa persona që kishin planifikuar sulme kundër muxhahedinëve që strehohen në Shqipëri.

Në tetor të 2016-ës, Mohammadnia u takua me ish-presidentin Bujar Nishani për t’i paraqitur letrat kredenciale. Por takimi në Presidencë u shoqërua me ‘fërkime’ midis palëve.

“Jam i sigurt që dy vendet tona do të kenë marrëdhënie të fortë dhe të konsoliduar bazuar në pikëpamjet tuaja dhe miqve që ju mbështesin”, do shprehej Mohammadnia në bisedën me Nishanin, duke iu referuar aleancës së ngushtë të Shqipërisë me SHBA-në.

Dy vite më parë, jetëshkrimi i Gholamhossein Mohammadnia ishte i vështirë të gjendej, por me kalimin e muajve u mësua se ambasadori që shërbente në Shqipëri kishte qenë pjesë e grupit negociator të Iranit me fuqitë perëndimore, për marrëveshjen nukleare.

Viti 2017-të rezultoi pjesërisht i qetë në raportet Tiranë-Teheran, kryesisht me disa raportime në mediat vendese se iranianët po krijonin faqe në internet për të sponsorizuar lajme kundër muxhahedinëve.

Kjo situatë u favorizua nga vizita e zhvilluar në janar të vitit të kaluar nga ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, në Republikën Islamike, ku u takua me homologun Javad Zarif, me të cilin diskutoi për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit midis dy vende.

Situata u tensionua në fillim të këtij viti, kur në Iran u zhvilluan protesta të dhunshme në disa qytete të ndryshme. Nga Teherani erdhën akuza se muxhahedinët ishin në rresht të parë të këtyre protestave, ndërkohë që kryetarja e kësaj organizate, Maryam Rajavi, mbështeti protestuesit. Mbi 3 mijë muxhehedinë ndodhen të strehuar aktualisht në Shqipëri.

(E ka qendrën në Shqipëri, zbardhet thirrja e muxhahedines Maryam Rajavi për protestuesit: Regjimi i Iranit drejt fundit, të zgjerohen bazat e rebelimit)

Tensioni do të përshkallëzohej kur në shkurt të 2018-ës u raportua se Irani kishte emëruar si Sekretar të Parë të Ambasadës në Tiranë, Mostafa Roodaki, agjent veteran i Shërbimit Inteligjent të Republikës Islamike. Roodaki është diplomati i dytë i dëbuar nga autoritetet shqiptare, së bashku me ambasadorin Mohammadnia.

(Muxhahedinët në Shqipëri, Irani emëron në Ambasadën në Tiranë agjentin e Shërbimit Inteligjent)

Më 23 korrik të këtij viti, Shefi i Mbrojtjes Civile të Iranit, Gholam Reza Jalali akuzoi në mënyrë direkte SHBA-në, Arabinë Saudite dhe Shqipërinë se po ndihmojnë anëtarët e MEK për të ushtruar presionin mbi Teheranin.

Gjatë 2018-ës u raportuar për të paktën dy sulme terroriste të shmangura nga autoritetet shqiptare kundër muxhahedinëve.

Gjatë këtij viti, ka patur gjithashtu disa takimeve të deputetëve shqiptarë, mazhorancë dhe opozitë, me drejtuesit e muaxhehdinëve në Paris, ndërkohë që nuk kanë munguar as vizitat dhe takimet e senatorëve amerikanë me të strehuarit e këtij grupi në Shqipëri.

Vendimi i qeverisë shqiptare për të dëbuar ambasadorin Gholamhossein Mohammadnia dhe diplomatin Mostafa Roodaki u përshëndet nga presidenti amerikan, Donald Trump, dhe nga kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu. Ndërkohë, Irani deklaroi se Shqipëria është viktimë e regjimit amerikan dhe izraelit.

Mediat izraelite në raportimin që i bënë vendimit të Tiranës, kanë ngritur pretendime se edhe anulimi i vizitës së Netanjahut në Shqipëri, lidhej pikërisht me praninë e Mohammadnia si ambasador në vendin tonë.

Të fundit