Diskutimet për Reformën Zgjedhore, opozita angazhohet që të kryhet brenda majit
Politiko26 Maj 2020, 08:54
Në orën 11.00 në ambientet e Pallatit të Kongreseve u mblodhën katër palët politike në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore.
Opozita u largua nga tryeza për shkak të tensionimi të situatës prej shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, ku opozita nisi të mbështesë protestat e iniciuara nga Aleanca për Mbrojtën e Teatrit.
Me thellimin e krizës, ishte ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ajo e cila ashpërsoi tonet duke u kujtuar palëve politike se Reforma Zgjedhore dhe ajo në Drejtësi ishin e vetmja mënyrë për integrimin ne BE.
Pas apelit të SHBA, opozita jashtëparlamentare konfirmoi sërish pjesëmarrjen me anë të një letre, ku i drejtohej bashkëkryetarëve të komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore për një mbledhje më 25 maj.
Edhe kreu i PD, Lulzim Basha tha në 22 maj se opozita dhe Partia Demokratike nuk e kanë braktisur asnjëherë tryezën e Reformës Zgjedhore dhe dhe se duan që t`ju japin shqiptarëve një orë e më parë garancitë për t’iu drejtuar kutive të votimit dhe për t’u bashkuar në një votë plebishitare për të larguar këtë të keqe.
Por, mazhoranca kërkoi të spostohej tryeza për sot, për shkak se dje konsiderohej ditë pushimi, prej festës së Fiter Bajramit të dielën.
Fokusi i diskutimeve
Ndërsa palët kanë propozuar që reforma të përmbyllet deri në 31 maj, mes tyre ka ende ndasi dhe pika që nuk kanë gjetur ende dakordësinë.
Depolitizimi i administratës, financimi i partive dhe listat e hapura janë pikat për të cilat ka ende mosmarrëveshje mes përfaqësuesve të partive politike.
Po ashtu, Rudina Hajdari vijon të insistojë në ndryshimin e sistemit, por që palët kanë menduar ta lënë për një moment të dytë.
Propozimet e opozitës
Opozita jashtëparlamentare është rikthyer në mbledhjen e Këshillit Politik me tre propozime konkrete për Reformën Zgjedhore.
Bëhet fjalë për pika si financimi i partive, kuotën gjinore dhe periudhën zgjedhore.
Propozimet:
Financimi i partive/ Opozita propozon një ligj që ul në minimum financimin privat të partive dhe eleminon korrupsionin. Ligji i propozuar nga opozita forcon rregullat e transparencës, verifikimit të financimit dhe sanksionet. Një ndër propozimet e opozitës është edhe përjashtimi i privatëve që financojnë partitë politike nga tenderat, koncesionet dhe kontratat publike. Në këtë mënyrë eleminohet mundësia e favorizimit të tyre të paligjshëm.
Opozita propozon që financimi nga privati të jetë sa gjysma e financimit nga shteti. Aktualisht, partitë lejohen të shpenzojnë sa 10 herë shuma e financimit publik. Psh. Kur ajo merr nga buxheti 30 milionë lekë, financimi privat do të jetë 15 milionë lekë dhe jo 300 milionë, siç është aktialisht. Ligji shton mekanizmat shtetërorë e kontrollit të shpenzimeve në fushatë, me qëllim eleminimin e përdorimit të parave të pista në zgjedhje. Propozimi është në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare.
Kuota gjinore/ Në mënyrë që të zbatohet realisht përfaqësimi në lista të jo më pak se 30% gra dhe 1 ndër 3 emrat e parë të listës të jetë grua, opozita propozon që partitë apo koalicionet të kenë aq kandidatë sa numri i mandateve në qark. Asnje kandidat më shumë të mos pranohet. Aktualisht, lista e pakufizuar dhe vendosja e grave në fund të listës e bën joefektive kuotën 30%. Sanksioni për shkeljen e kuotës gjinore nuk është më gjoba, por refuzimi i regjistrimit të listës për qarkun përkatës.
Periudha zgjedhore/ Opozita kërkon shkurtimin e periudhës zgjedhore në të dy sezonet e parashikuar aktualë. Nga 3 muaj kërkohet që të bëhet 1 muaj. Opozita propozon që zgjedhjet të mos zhvillohen në periudha që ndikojnë në sezonin turistik, por t’u jepet qytetarëve çdo mundësi për të ushtruar të drejtën e votës. Periudhat e zgjedhjeve të propozuara nga opozita janë 15 Prill-15 Maj dhe 15 Tetor – 15 Nëntor.
Konsensusi i ri mes palëve
Zgjedhjet nuk do të zhvillohen më në periudhën e sezonit të verës. Ky është propozimi i pranuar sot në tryezën e reformës zgjedhore, si një nga propozimet e opozitës.
Në propozimin e PD-LSI thuhet se “Opozita kërkon shkurtimin e periudhës zgjedhore në të dy sezonet e parashikuar aktualë. Nga 3 muaj kërkohet që të bëhet 1 muaj.
Opozita propozon që zgjedhjet të mos zhvillohen në periudha që ndikojnë në sezonin turistik, por t’u jepet qytetarëve çdo mundësi për të ushtruar të drejtën e votës. Periudhat e zgjedhjeve të propozuara nga opozita janë 15 Prill-15 Maj dhe 15 Tetor - 15 Nëntor”.
Me këtë propozim, edhe presidenti nuk do të jetë më i kufizuar që të caktojë datën e zgjedhjeve në një nga dy të dielat e fundit të periudhës së paracaktuar.
Rudina Hajdari, përfaqësuesja e opozitës parlamentare në Këshillin Politik, pas mbledhjes së sotme deklaroi se çështjet për të cilat u dakordësuan palët sot ishin pa rëndësi. Gjithashtu, Hajdari tha se duke ndryshuar periudhat zgjedhore, iu mbyll dera diasporës:
“Sot u dakordësua për disa çështje pa rëndësi. U dakordësua për fashë zgjedhore të re dhe anëtarët e Këshillit Politik u bënë si vajzat e motit, duke treguar se është më mirë të votohet me temperatura të larta apo të ulëta. Kjo gjë është e papranueshme, nëse ndryshojmë fashat i mbyllim dyert diasporës për të votuar.”
Damian Gjiknuri, përfaqësuesi i Partisë Socialiste në tryezën e Reformës Zgjedhore, foli për mediat në përfundim të mbledhjes duke u shprehur se është arritur dakordësia mes palëve politike për disa çështje të rëndësishme.
“Ramë dakord për zvogëlimin e periudhës zgjedhore, përkatësisht në datat 15 prill-15 maj, ose 15 tetor- 15 nëntor. Është një periudhë shumë e mirë për të bërë zgjedhje në Shqipëri, pasi edhe klima është më e mirë. Pjesëmarrja sa më e lartë në zgjedhje do të jetë një gjë shumë e mirë. Ramë dakord edhe për parimin e kuotës gjinore, që një në tre emra të jetë nga gjinia femërore, të shoqëruar dhe me sanksionet përkatëse. Nisur nga ky parim duhet të shihet si të eliminohen disa shqetësime. Ramë dakord që të kemi dhe financimin miks, pra financim nga qeveria, dhe pjesa tjetër nga donacionet, por duke e ulur në një raport më të pranueshëm.
Përfaqësues të opozitës jashtëparlamentare, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili kanë folur pas tryezës së Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore. Ata informuan për tre çështje të diskutuara, për periudhat zgjedhore, për financimin e partive dhe kuotave zgjedhore.
Bylykbashi:Sot ne diskutuam tre çështje, çështjen e kuotës gjinore, periudhës dhe financimin. Do jenë dy periudha zgjedhore të cilat do t’i mundësojnë Presidentit të mundësojë datën e zgjedhjeve pa kufizime. Jep mundësin që zgjedhësit të marrin pjesë në numër më të lartë. I largohemi periudhave të nxehta dhe të ftohta që mund të pamundësojnë pjesëmarrjen në zgjedhje. Dakordësuam në shumë elementë për financimin e partive nëpërmjet një formule mikse, synimi ynë reduktimit në mënyrë drastike i financimit privat që të pastrohet fushata nga interesa të paligjshme. Pati debat për çështje të ndryshme por jemi në rrugën e përmbylljes së këtyre dy paketave.
Vasili: Ishte dhe një moment delikat i kuotës gjinore. Bashkëndamë një zgjidhje dhe një kompromis që kuota gjinore të respektohet duke pasur principin një në tre. Kemi kërkuar me forcë që kjo kuotë gjinore të ketë dispozita mbrojtëse për zbatimin e saj në praktikë. Mendoj që ekspertët do të sjellin një mendim të pranueshëm.
Ambasadorja Amerikane Yuri Kim dhe kreu demokrat Lulzim Basha kanë zhvilluar sot një takim në selinë e PD me fokus reformën zgjedhore. Pas takimit ka pasur edhe një deklaratë të përbashkët për shtyp.
Basha u zotua se PD do të kërkojë që brenda 31 majit reforma të jetë përfunduar.