Flash News

Ditari i Maxhorancës

“Kiri, Lena, Brandi...", Gonxhe e lë ‘Ekonominë’ me ankand për qentë e policisë

“Kiri, Lena, Brandi...", Gonxhe e lë

Blendi Gonxhe, i cili së shpejti do të betohet si Ministër i Kulturës, Turizmit dhe Sportit, po largohet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit duke lënë pas një "trashëgimi" të pazakontë: ankandin e qenve të policisë.

Në vend të projekteve për inovacion apo ekonominë siç mbart edhe vetë emrin dikasteri, ministria nën drejtimin e Gonxhes hapi dje ankandin e qenve të policisë, duke treguar se prioritetet shtetërore shpesh devijojnë dhe e mbyll detyrën e tij me ankandet për qentë e policisë. 

Lind pyetja, ç'lidhje ka me qentë e policisë?

Tradicionalisht, qentë e Policisë janë pjesë e strukturave të Ministrisë së Brendshme, por Instituti i Përgatitjes së Qenve të Policisë është transferuar nën administrimin e MEKI, duke e bërë këtë ministri përgjegjëse për shitjen e tyre.

Gjithësesi, ironia është se një dikaster me emrin “ekonomi dhe inovacion” përfundon duke inovuar vetëm në fushën e ankandeve.

Së fundi, edhe mediat shqiptare apo opozita vuri në dukje se ndërkohë që Belgjika po e përdor ushtrinë kundër karteleve të drogës, Shqipëria po shet qentë e policisë që dikur shërbenin për rendin dhe aspekte të tjera.

Ndërsa Gonxhe pritet tashmë të zhvendoset drejt një tjetër ministire, asaj të Kulturës, Turizmit dhe Sportit, natyrshëm lind pyetja : çfarë do të nxjerrë në ankand nesër Gonxhe?

Kjo sepse nëse ekonominë e la sot me qentë, nuk është e vështirë të imagjinohet se kultura apo sporti mund të shihen thjesht si pasuri të tjera për t’u “administruar” me të njëjtën logjikë tregu. S.GJ

Të fundit