Flash News

Ditari i Opozitës

Aksioni për rikthimin e PD-së në shina/ Berisha nis turin nesër, takim me bazën në Tiranë

Aksioni për rikthimin e PD-së në shina/ Berisha nis turin

Ish-kryeministri Sali Berisha do të nisë nesër turin e takimeve për të hapur PD-në, siç u shpreh vetë ai, kur paralajmëroi këtë lëvizje. Dy ditë më parë Berisha tha se të enjten do takohej me bazën e Partisë Demokratike do në Tiranë dhe më pas në mbarë Shqipërinë.

"Basha vepron për interesin e tij. Basha e ka marrë këtë vendim për pazar ose interes personal. Takimi im i pare me anëtarësinë e PD do jetë në Tiranë dhe më pas në të gjithë Shqipërinë.

Lëvizja ime ka si synim që të vendoset dinjiteti i çdo anëtari të PD-së, të ketë edhe hapje në Partinë Demokratike, patjetër. PD i ka jetike flukset e reja, që të vijnë të rinj e të reja, por edhe burra e gra. Ka forca PD, në Këshill Kombëtar, parlament, duhet t’i hapet frymëmarrja Partisë Demokratike. Lëvizja ime është për bashkimin dhe zmadhimin e PD-së”, deklaroi Berisha.

Politiko ka mësuar se takimi i Berishës me anëtarësinë do të zhvillohet në hotel "Rogner" në orën 18.00. Pritet që Berisha aty të shpallë axhendën e aksionit politik që ka për qëllim rikthimin e PD-së në shina. Ai ka thënë se, "do të marrë çdo nismë ligjore statutore brenda PD për rikthimin e saj në piedestalin që meriton".

"Të dashur miq, diten e enjte me dt.16 shtator ora 18:00 nisim ciklin e 'Foltores për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë dhe më të hapur.

Foltorja do të jetë një bashkëbisedim me demokratë dhe demokrate që nis në Tiranë dhe do udhëtoj në mbare vendin. Jeni të mirepritur!"-bën me dije zyra e shtypit pranë Berishës.

Ditën e nesërme do të mblidhet dhe Kuvendi për të votuar qeverinë "Rama 3". Mbetet për t'u parë nëse Berisha do të shkojë në Kuvend, apo nuk do ta bojkotojë votimin, siç bëri kur u zgjodh kryetarja Lindita Nikolla.

Ish-kryeministri e ka cilësuar nul vendimin e kryedemokratit Lulzim Basha, i cili e përjashtoi nga grupi parlamentar i PD, pas kërkesës së ndërkombëtarëve. Pas vendimit të Bashës, Berisha ka ashpërsuar tonet, duke hedhur akuza për pazare Rama-Basha.

Pavarësisht përjashtimit, Berisha është vetëdeklaruar si anëtar i grupit parlamentar i PD. Ai u shpall "non grata" në SHBA, por vendosi të mos hiqte dorë nga mandati i fituar më 25 prill.

Vendimi i Bashës prodhoi qëndrime pro dhe kundër. Basha vendosoi të përjashtojë ish-kryeministrin një ditë para nisjes së punimeve parlamentare.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim ja bëri të qartë kreut të Partisë Demokratike, disa javë më parë, pas një takimi mes tyre se ish-kryeministri Sali Berisha nuk duhet të jetë në Parlament në shtator.

Të fundit