Flash News

Ditari i Opozitës

Dje mohoi lajmet, si përgjigjet Basha për dyert e blinduara dhe personat e maskuar që dhunuan protestuesit

Dje mohoi lajmet, si përgjigjet Basha për dyert e blinduara dhe

Në konferencën që mbajti pas përfundimit të protestës dhe punës së grupit hetimor, kryedemokrati Lulzim Basha u pyet për dyert e blinduara në selinë blu. Pavarësisht lajmeve, ai kishte mohoi dje se kishte "blinduar" selinë, duke thënë se godina po i nënshtrohej rikonstruksionit.

"Jo po tanke e marinsa. Këto janë marrëzira dhe e turpshme që viti i ri në Shqipëri i gjen me një ‘giallo’ të tillë të servirur”, tha Basha në një emision televiziv.

Fillimisht kryedemokrati tha se e blinduar ishte vetëm dera e serverave, ndërsa më pas pranoi dhe instalimin e dyerve të blinduara në shkallë. Ai tha se ishte i detyruar ta ndërmerrte një vendim të tillë, ndërsa akuzoi ish-liderin Sali Berisha se do të shkelte mbi kufoma.

Basha shtoi se i vetmi arkivol që doli ditën e sotme nga selia blu ishte ai i Berishës. Ndërkohë ky i fundit ka paralajmëruar protesta të tjera për largimin e Bashës.

“Dyert nuk ishin të blinduara, prandaj ju bëra turin LIVE, aty ishit, vetëm dera e serverit ishte. Nëse e kishit fjalë për dyert e reja të instaluara në shkallë, normale, ishte detyra ime ta bëja si kryetar i zgjedhur në momentin që Berisha deklaroi se ishte i aftë të shkelte mbi kufoma. Që dalja me arkivol nga PD të mos realizohej. I vetmi arkivol që doli sot ishte ai politik i Sali Berishës", tha Basha.

Kryedemokrati u pyet nga gazetarët edhe për videon, ku persona të maskuar dhe me shkopinj në dorë dolën nga selia dhe dhunuan protestuesit. Basha mohoi që kjo sjellje të ketë ndodhur.

"Nuk kam parë njeri me hunj e shkopinj në duar, nuk di gjë", tha kryedemokrati.

Ky i fundit u tregoi gazetarëve mjediset e PD-së, të cilat ishin dëmtuar nga protesta e sotme. Ai shkoi në selinë blu mëngjesin e sotëm dhe qëndroi aty gjatë zhvillimit të protestës. Basha hodhi akuza edhe ndaj policisë.

 

Të fundit