Flash News

Ditari i Opozitës

Humbja e 6 marsit, Dash Sula: Nëse Basha vazhdon në krye të PD, unë do të tërhiqem

Humbja e 6 marsit, Dash Sula: Nëse Basha vazhdon në krye të PD,

Deputeti demokrat Dashnor Sula pohoi se nuk e kishte menduar kurrë që PD do të dilte forcë e tretë në zgjedhjet e 6 marsit.

I ftuar në studion e Report Tv, Sula u shpreh se është e pafalshme që PD-ja të humbte Shkodrën. Ai deklaroi se nëse Basha vijon të mbetet në krye të partisë, do të tërhiqet mënjanë.

“Nuk e kisha menduar kurrë që PD të dilte e treta. Unë jam dhe do të rri në PD, nuk më dhimbset as Basha dhe as Berisha më dhimbsen vetëm demokratët. Ta humbi PD Shkodrën, kjo është për të ardhur keq. Kjo ka ndodhur për shkak se demokratët kanë humbur besimin tek PD. Basha ka problematika të mëdha në këto momente, nuk frymëzon më demokratët. Nëse Basha vazhdon në krye të PD unë do të tërhiqem mënjanë. Do të jem pjesë e PD, thjesht do të jem mënjanë, nuk do të bashkohem me foltoren, të jemi të qartë. Dua të vdes te PD. Nëse shoh që PD nuk frymëzon dhe vjen drejt shuarjes, nuk do të jem pjesë e kësaj shuarje”, u shpreh ai.

Sula tha se mandati i tij konsiderohet i pavlerë nëse demokratët nuk e mbështesin, duke theksuar se pa u bashkuar të gjithë demokratët, nuk do të korrin fitore asnjëherë.

“Në fund të mbledhjes bëra një deklaratë, i thash unë vë në dispozicion mandatin tim si deputet, sepse ai nuk është mandat i Dash Sulës është i të gjithë demokratëve të qarkut të Elbasanit. Nuk ka vlerë mandati im nëse demokratët nuk na mbështesin. Nuk mund të vazhdojmë siç jemi, pa reflektuar Basha, grupi parlamentar etj. Po nuk u bashkuan demokratët ne nuk kemi për të fituar asnjëherë”, tha ai.

Mbledhja e Kryesisë së PD u shoqërua dje me debate dhe largime. Ishte nënkryetari i partisë, Agron Gjekmarkaj, i cili dha dorëheqjen nga të gjitha funksionet partiake duke pranuar të qëndrojë vetëm si deputet.

Por të tjerë anëtarë dhe deputetë, i kërkuan Bashës të japë dorëheqjen pas rezultatit zhgënjyes dhe humbjes së thellë që pësoi në zgjedhjet e pjesshme vendore që u mbajtën të dielën në 6 bashki të vendit.

Të fundit