Flash News

Ditari i Opozitës

"Po kufizoni zërin e opozitës'/ 'Përplasje' në Konferencën e Kryetarëve, zbardhen debatet

"Po kufizoni zërin e opozitës'/ 'Përplasje'

Është shoqëruar me debate Konferenca e Kryetarëve, që po mbahet këtë të hënë pak orë para nisjes së seancës plenare. Deputetët demokratë kanë akuzuar mazhorancën për shkelje të rregullores dhe kufizim të hapsirave të opozitës.

Fillimisht ishte kryetari i grupit Gazment Bardhi se tha se duhet të kaloheshin në diskutim dhe merreshin parasysh 3 kërkesat e PD-së për shkarkimin e Niko Peleshit, anulimin e seancës ku u votua pa debat qeveria dhe programi i saj dhe ndryshimi i rregullores.

Gazment Bardhi kërkoi thirrjen urgjente të Këshillit të Legjislacionit për shqyrtimin e kërkesës për shkarkimin e Kryetares së Kuvendit dhe denoncoi injorimin e mocionit me debat për programin qeveritar.

Ndërkohë deputetja Jorida Tabaku kritikoi kalimin e raporteve në komisione të papërshtatshme, duke theksuar se mazhoranca po shkel rregulloren, që ka miratuar vetë.

Tabaku: Raporti i Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk dihet pse duhet të kalojë te Komisioni i Ligjeve. Komisioni përgjegjës për këtë çështje është Komisioni i ri për të Drejtat e Njeriut. Nuk mund të ketë komisione “kryesore” dhe të “dorës së dytë”. Po shkelni vetë rregulloren që e keni miratuar”, tha Tabaku.

Po ashtu edhe Agron Gjekmarkaj ka ngritur akuza se PS po manipulon të vërtetën dhe po i shmanget llogaridhënies pas publikimit të raportit të DASH. Sipas tij, mazhoranca i trembet debatit për korrupsionin dhe dështimet e saj.

Gjekmarkaj: Pavarësisht se vini nga zgjedhje farsë, Kuvendi ka zgjedhur një Kryetare dhe nuk është e nevojshme të zgjedhim një tjetër për të kontrolluar atë që kemi zgjedhur. Nuk doja të flisja, por zoti Balla, si gjithmonë, ka krijuar një të vërtetë të tijën, duke folur për “arritje”. Në fakt, dje doli një raport i Departamentit Amerikan të Shtetit. Kuvendi duhet të krijojë hapësirë për të diskutuar mbi ato çështje themelore që ngrihen në raport: krimi, korrupsioni, një realitet i zymtë. Por ju po i ikni të vërtetës, duke ndërtuar një realitet fals. I shmangeni përgjegjësisë për të diskutuar mbi qeverisjen tuaj, sepse i trembeni transparencës”.

Të fundit