Flash News

Ditari i Opozitës

Nga kafja e Bashës me gazetarët te vizita e zv.ambasadorit amerikan, ç'ndodhi ditën e sotme në selinë blu

Nga kafja e Bashës me gazetarët te vizita e zv.ambasadorit amerikan,

Në Partinë Demokratike ditën e sotme ka pasur zhvillime. Anëtarë të Komisionit për Rithemelimin e PD-së shkuan për të zhvilluar një mbledhje, por dyert nuk u hapën.

Pas tyre shkoi grupi i të rinjve të FRPD-së, që gjithashtu mbeti jashtë, pasi dera kryesore ishte e kyçur. Si mbështetësit e Sali Berishës dhe të rinjtë hodhën akuza ndaj kryedemokratit, Lulzim Basha, duke i konsideruar sjelljet e tij, të turpshme.

Ndërsa Basha e nisi ditën duke pirë kafe me gazetarët që mbulojnë selinë blu. Më pas ai hyri në PD nga dera anësore, por nuk dha asnjë prononcim për mediat.

Në orën 13.00, kryedemokrati priti në takim zëvendësambasadorin amerikan Demian Smith. Vizita në PD erdhi dy ditë para protestës së thirrur nga ish-lideri Sali Berisha. Ai qëndroi në selinë blu rreth një orë, por nuk pati asnjë prononcim për mediat pas përfundimit të takimit. Edhe Smith hyri nga dera anësore e selisë.

Lidhur me kyçjen e dyerve reagoi dje në një deklaratë për mediat, Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi. Ai tha se dyert do vazhdojnë të jenë të kyçura për shkak të punimeve që po zhvillohen në selinë blu.

Bardhi shtoi se sikurse ai, nënkryetarët edhe mbështetësit e Berishës duhet të telefonojnë para se të vijnë në PD.  Nga ana tjetër punimet për ta ndryshuar godinën vazhdojnë. Pas ndryshimit të "fytyrës", ku dyer dhe xhama u veshën me letër adeziv që mbante logon e PD, riorganizimi është zhvendosur në brendësi të selisë.

Në media kanë qarkulluar lajme se në korridorin e katit të parë të godinës janë hequr disa foto të mëdha, që paraqesin momente të suksesshme të qeverisë së ish-liderit Sali Berisha, si futja në NATO, apo inaugurime të veprave të rëndësishme.

Gjithashtu thuhet se ambientet e brendshme po lyhen me bojë. Basha po tenton të largojë nga shtëpia e demokratëve çdo gjurmë të Berishës. Ditën e djeshme përfundoi afati i vendosur nga Berisha për Bashën, që ky i fundit të largohet nga zyra.

 

 

Të fundit