Flash News

Ditari i Opozitës

Nishani: Nëse Basha nuk ikën, Rama qendron në pushtet dhe 14 vite; a do të garojë për kryetar? Përgjigjet ish-presidenti

Nishani: Nëse Basha nuk ikën, Rama qendron në pushtet dhe 14
Bujar Nishani

Ish-presidenti Bujar Nishani, një nga zërat që kërkon largimin e kryedemokratit Lulzim Basha ka ritheksuar se ajo që priste nga zgjedhjet ishte përgjegjësia e opozitës. Ai tha për “News24” se PD nuk arriti të kontrollonte territorin dhe kjo, sipas tij" u dëshmua në pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje.

"Mendoja se gjatë fushatës, opozita do dinte ta organizonte, të dilte mbi atë pamundësinë, paaftësinë, e artikulimit të një strukture të madhe të këtyre 8 viteve dhe do dinte të gjente çelësin e fushatës, por rezultoi se nuk e gjeti dot", tha Nishani.

Ky i fundit u shpreh se Basha duhet t'i hapë rrugë një projekti të ri politik, duke shtuar se ai që aplikoi kryedemokrati rezultoi një dështim.

"Projekti politik i z. Basha si kryetar, që ka pasur mbështetjen tonë, rezultoi i pamjaftueshëm, i paaftë, i pamundur për të rrëzuar modelin e Ramës. Rama do të qëndrojë 14 vite atje, nëse ne vazhdojmë me të njëjtin standard, me të njëjtin model. Z. Basha duhet t’i hapë rrugë një projekti të ri politik, që natyrisht nuk e përjashton z. Basha që të zhduket nga skena politike, ai është përpjekur. Por përpjekjet e tij janë të pamjaftueshme dhe të pamundura", shtoi Nishani.

I pyetur nëse është gati për të kandiduar për kryetar, ai tha se "Sot nuk është fare në rend dite se kush do të jetë kryetari i PD, absolutisht që do të diskutohet edhe kjo. Nuk e kam menduar asnjëherë deri në këtë moment. Në politikë nuk thuhet kurrë ‘kurrë’, por nuk është qëllimi dhe synimi im".

 

Të fundit