Flash News

Ditari i Opozitës

Shkarkimi dhe paralajmërimi për Nokën/ Nga Topalli te Spaho, demokratët krahësojnë Bashën me Enver Hoxhën

Shkarkimi dhe paralajmërimi për Nokën/ Nga Topalli te Spaho,

Shkarkimi i Flamur Nokës nga funksioni i nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë dhe paralajmërimi për ta përjashtuar nga PD, ka sjellë reagime në radhët e demokratëve.

Ish numri dy i partisë, Edmond Spaho ironizon Bashës, duke i thënë se nuk e bën dot rolin e diktatorit Enver Hoxha. Ai shton se Bashës po i mblidhet litari. Kujtojmë që Spaho ka dalë në krah të ish-kryeministrit Sali Berisha.

"Lul mjaft me debime, fillo internimet tani. Bjeru deputetëve si në 45. Po ndonjë pushkatim nuk do bëjmë?", shkruan ndër të tjera deputeti në Facebook.

Demokratja Jozefina Topalli thotë se edhe pak kohë do e ketë vulën, por deri atëherë shton ajo, do ketë dhe përjashtime të tjera nga Basha. Edhe Topalli e krahëson Bashën me Enver Hoxhën, ndërsa shton se Flamur Noka është rritur në PD.

"Kësaj here rradhën e kishte Flamur Noka, që është rritur në Partinë Demokratike. E paska shpallur armik të brendshëm!  Shoku Enver bënte mbledhje byroje në raste të tilla. Edhe për pak kohe do ketë vulën. Gjatë këtyre ditëve do shpallë edhe perjashtime të tjera… deri kur Kuvendi Kombëtar do i heqë edhe vulën bashkë me karrigen", shkruan ajo në rrjetet sociale.

Edhe Fatbardh Kadilli ka reaguar përmes Iniciativës Demokratike ( iDE). Ai thotë se u dëshmua dhe një herë kryetarokracia, ndërsa iu bën thirrje demokratëve të reagojnë. Sipas tij, etiketimet "llum" dhe "peng" tregojnë degradim.

"Shkarkimi i z. Noka një dëshmi tjetër e traditës së shëmtuar të përjashtimeve. Opozita zvogëlohet edhe me shumë nga përjashtimi. Një dëshmi e re e kryetarokracisë.Përplasja me akuza të ndërsjellta me etiketime “llum” apo “peng” tregon degradim", shkruan Kadilli në rrjetet sociale.

Duke e krahësuar me vendimin që mori për Berishën, deputeti Tritan Shehu thotë se Basha, sërish natën, mori një vendim arbitrar.

"Vazhdon cikli i ndëshkimeve të natës nga Z.Basha! Te dyja arbitrare, pa respektuar rregullat, statutin, parimet e demokracise! Pra realisht të pa vlefeshme, nul! Ngjarje këto krejtësisht të gabuara për një Parti Demokratike!"-shkruan në Facebook Shehu.

Ndërsa Basha komentoi sërish vendimin që mori mbrëmjen e djeshme, duke thënë se  PD s'mund të mbahet peng e shpifjeve dhe e interesave personale. Gjithashtu hodhi akuza që kryeministri Edi Rama shantazhon demokratët.

Të fundit