Flash News

DITARI POLITIK

Kadilli: Basha dhe Berisha garojnë kush merr medalje argjendi dhe bronzi. Kandidatët e Foltores më të pëlqyer

Kadilli: Basha dhe Berisha garojnë kush merr medalje argjendi dhe bronzi.

Politiko.al

Bardh Kadilli ka qenë i vetmi ndër tre “të paangazhuarit” në asnjërin prej kampeve, të Berishës apo Bashës, që ka pranuar t’u përgjigjet pyetjeve të Politiko, dy të tjerët Bogdani dhe Tomorr Alizoti, jo.

Ai thotë se një një garë pa ‘kryetar në detyrë’ do të garojë sërish ndërsa sheh kandidatët e Foltores si më të pëlqyer se të “Vulës” në zgjedhjet që do të mbahen nesër. Pas 6 marsit ai nuk sheh reflektim nga asnjëra palë.

Të heshturit apo asnjanësit janë shumicë në PD keni thënë nëpër intervista. Ku është kjo shumicë e heshtur duke qenë se, të paktën sipas sondazheve, elektorati demokrat ndahet mes Berishës e Bashës, gjë që duket se mund të sigurojë mandate si në Shkodër ashtu edhe në Dibër?

Një pjesë e madhe e elektoratit të djathtë hesht kur flitet për drejtimin e PD, dhe kur shohin që Basha dhe Berisha po konsumojnë ndarjen e PD. Mos e kërkoni shumicën e heshtur kur ka zgjedhje për pushtet, qoftë dhe lokal. Fatkeqësisht, Basha dhe Berisha ashtu siç ndanë PD dhe strukturën e saj, tashmë, me këto zgjedhje, po ndajnë dhe elektoratin. Ky është fatalitet për të djathtën dhe opozitën.

Partizanët e Berishës dhe Bashës nuk shohin se “gara” po ndodh në oborin tonë. Ndarja po i siguron Ramës një fitore të lehtë dhe mbi të gjitha të panjollosur fiks në oborrin tonë. Të gjashta garat janë në territor politik të djathtë. Kur Rama të fitojë këtu imagjinoni sa lehtë do e ketë në jug, në bastionet e majta.

Këto zgjedhje vlejnë vetëm për të ushqyer egon e Bashës dhe Berishës. Këto zgjedhje janë prova qe ata kanë tradhëtuar demokratët dhe opozitarët. Po garojnë kush merr medalje argjendi dhe kush bronxi. Ka dhe bastexhinjtë e vet kjo garë qe edha ata ushqejnë egon e tyre. Këto zgjedhje nuk vlejnë për demokratët. Nuk vlejnë për qytetarët.

Shumica e heshtur do shtohet dhe do jetë më reflektive.

Duhet të ikin të dy, si Basha ashtu dhe Berisha. Kush duhet të rrijë, kush duhet të vijë dhe kush e sjell në pushtet PD? Dhe kur?

Basha dhe Berisha duhet të ikin sepse kanë marrë peng demokracinë e PD. Demokracia nuk është thjeshtë votë. Vota dhe votime kishte dhe Enveri. Ka dhe Putini. Demokracia është sistemi që kufizon pushtetin e “NJËSHIT”. Kjo bëhet me kufizim mandati. Kush ka humbur, ikën. Të dy kanë humbur. Kush bën dy mandate ikën. Të dy kanë bërë më shumë se dy. Pushteti i mandateve të pakufizuara i ka sjell edhe “votat” dhe magnetizmin për oportunistët që presin llokmën e rradhës.

Kush duhet të vijë? Ai që do të zgjedhin demokratët.  Por kushdo qoftë, kur e di që e ka mandatin të kufizuar do shtrojë rrugët e suksesit me bashkëpunim me çdo njeri që ka kontribut. Nuk do ndërtojë ushtri servilësh dhe shërbëtorësh. Kushdo që të jetë kur e di që po humbi largohet, do shtrojë rrugën e suksesit me vlera, me parime, me risi.

Si e parashikoni 6 marsin, sa i takon rezultatit të dy kampeve në të djathtë përfaqësuar nga Basha e Berisha?

Besoj që kandidatët e Foltore+LSI marrin më shumë se kandidatët e “Vulës”.. madje dhe pa LSI prapë vulëmbajtësit janë më pak të pëlqyer.

Në varësi të rezultatit, si do të sillen dy kampet më datë 7 dhe në vijim. Do të vazhdojë përplasja? Cila do të jetë retorika e përvetësuar?

Do vazhdojnë të gërmojnë gropën ku duan të strehojnë partinë përkatëse. “Foltorët” do vazhdojnë të thonë ne jemi shumica. Ne jemi të vërtetët. Ndërsa “Vulorët” do thonë: “kishte një projekt për shkatërrimin e opozitës, madje zhdukjen e saj në trekëndëshin e Bermudës, por plani i tyre dështoi. Ajo që s’të vret të bën më të fortë. Beteja sapo ka filluar”.. nuk tingëllon keq, apo jo.

Asnjëri nuk do të reflektojë asgjë. Jo se nuk janë të aftë. Përkundrazi. Ata të dy e dinë shumë mirë, siç dhe e kanë ditur që kjo rrugë nuk bashkon, nuk shton, nuk forcon, nuk fiton. Po bëhem autoreferencial, por këtë kam deklaruar kur shpalla Iniciativën Demokratike iDE. Ky vlerësim vetëm më përforcohet nga çdo zhvillim dhe ndodhi.

Ka cinikë që artikulojnë se Kadilli po pret një ofertë. Apo dhe nga ata që thonë se Kadilli ka filluar të tingëllojë si analist apo ‘intelektual i pavarur’. Komenti juaj.

Unë kam bërë një pakt me veten. Të luftoj betejën politike për ringritjen e PD jo të luftoj për karrierë. T’u them demokratëve të vërtetën kur shumë i shmangen të vërtetës se duan karrierën e sotme apo të ëndërruar. Kjo betejë kërkon qartësi për gjendjen, si dhe për rrugën. Gjendja nuk ka nevojë për shpjegime plotësuese. Rruga është ajo që kam zgjedhur. Largimi ose braktisja e pengesave Basha dhe Berisha. Një Parti më e Madhe se Kryetari. Kjo është rruga e mundimshme e një beteje politike, nuk është rruga e karierës politike. Unë e di që kjo është rruga e duhur. A do jem unë ai që do t’ia dal? Nuk e di. Por, kushdo që do t’ia dalë do kaloj nëpër këtë rrugë.

Nuk kam zgjedhur të rreshtohem, as të fshihem duke e lënë emrin në të dy rreshtat, por duke munguar kur ata bëjnë apelin.

Janë tre personazhe në kampin demokrat të cilët mund t’i quajmë ‘të paanagazhuar’, ‘neutralë’ apo që kërkojnë një zgjidhje ‘përtej të dy palëve’. Bardh Kadilli, Tomorr Alizoti dhe Gert Bogdani. Ku e fusni ju veten dhe ku ndryshoni ju prej dy të tjerëve?

Unë jam më shumë se i angazhuar. Jam në betejë politike. Që të nesërmen e humbjes së zgjedhjeve kam shpallur mbylljen e një cikli politik. Kam parashtruar një projekt të ri. Manifestin për Ringritjen e PD. Luftoj që ai projekt të bëhet sa më shpejt realitet. Jam përballur dhe do të përballem me çdo pengesë. Kam mbajtur qëndrime të qarta dhe shpesh “revolucionare” për mendësinë e mpirë të PD. Kam injoruar çdo pasojë për karrierën politike. Kam propozuar hapat si kalohet nga kjo gjendje dhe do jem gjithnjë i angazhuar. Forca ime janë parimet, idetë dhe kreativiteti politik. Këto tipare më kanë bërë të angazhuar që herët nuk do të më lenë kurrë të paangazhuar.

Nëse hapat gara në PD për kryetar, a do të hidhni kandidaturën?

Në një garë pa kryetar në detyrë? Po. Sigurisht. Por, jo në garë me kryetar në detyrë. E bëra një herë këtë sfidë. Nuk fitohet gara me pronarin e partisë. Por, unë dhe partia fitoi diçka nga ajo garë. Jam krenar që isha fitues në garën e moralit, në garën e të vërtetës, në garën e ideve, në garën e kontributit të ri.

Të fundit