Flash News

E SHPJEGUAR

Nuk morën poste, Balla dhe Braçe 'shfryjnë inatin' ndaj Ramës në stadium dhe rrjetet sociale

Nuk morën poste, Balla dhe Braçe 'shfryjnë inatin'

Javës që lamë pas kryeministri Edi Rama shpalli qeverinë e re si dhe komunikoi drejtuesit e rinj të Partisë Socialiste në mbledhjen e Asamblesë.

Nga ky takim, pati disa ndryshime por ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen ishte pozicionimi që Rama kishte zgjedhur për disa nga emrat me peshë në PS.

Megjithatë, pas vendimeve të javës së kaluar, mëritë ndaj Ramës janë reflektuar kryesisht në rrjetet sociale, por edhe në stadiumin ‘Elbasan Arena’ mbrëmë gjatë ndeshjes së Shqipërisë me Hungarinë.

Gjatë ndeshjes së mbrëmshme, papritur një dron u ngrit mbi stadium me një mesazh për kryetarin e grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, të cilin kryeministri Edi Rama e largoi si drejtues nga ky qark duke e dërguar në Fier, por mbi të gjitha i hoqi postin e sekretarit të përgjithshëm duke ia ngarkuar Damian Gjiknurit.

“Taulant Balla, Elbasani ty të do” ishte mesazhi në mbështetje të Ballës, i cili në dukje lë të kuptohet se po i drejtohej vetë kryeministrit. 

Kujtojmë se Balla në zgjedhjet e 25 prillit ishte drejtues politik i qarkut të Elbasanit, ku rezultoi edhe deputeti më i votuar në rang kombëtar, sa i përket votave preferenciale duke lënë pas edhe Ramën.

Nga ana tjetër, zv.kryeministri në ikje, Erion Braçe preferon rrjetet sociale për të përcjellë mesazhet e tij të koduara.

E fundit ishte një foto, duke u kthyer shumë vite pas në fëmijëri e duke risjellë në vëmendje lojën “Kala Dibrançe”. E ndërsa ngre pyetjen për ndjekësit nëse e kujtojnë, Braçe shprehet se kjo që e dinit lojë është stil jete. “E mbani mend? E dinit loje apo jo? Ja qe i reziston cdo kohe si stil jete” shkruan Barçe.

 Nuk është e qartë se kujt i drejtohen këto mesazhe ironike të Braçes, i cili në Asamblenë e Përgjithshme të PS u zgjodh vetëm si anëtar i kryesisë së PS dhe u la jashtë çdo lloj posti tjetër brenda partisë.

Ndërkohë, para se të njoftojë largimin, vetë Rama tha në Opinion se ka qenë vetë ai që i ka kërkuar largimin nga posti i zëvendëskryeministrit, duke thënë se do të jetë në dispozicion të PS si deputet.

“Kemi folur paraprakisht dhe me shumë, ka ardhur vetë tek unë dhe me shumë sinqeritet dhe modesti më ka thënë që “unë nuk jam barrë e askujt dhe jam në dispozicion si deputet pa as më të voglin problem dhe mos ke asnjë shqetësim” tha Rama.

Të fundit