Flash News

E SHPJEGUAR

PD shkon e përçarë, PS u beson grave, emrat që kandidojnë për Ramën, Bashën dhe Berishën në zgjedhjet e 6 marsit

PD shkon e përçarë, PS u beson grave, emrat që

Kur na ndajnë vetëm disa javë nga nisja e fushatës për zgjedhjet e pjesshme lokalet të 6 marsit, partitë kanë nisur lëvizjet e para. 

Zgjedhjet do të zhvillohen në Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë. Ndonëse në shumicën e tyre, këto bashki ishin prej shumë kohësh, pa një kryetar të zgjedhur, presidenti Meta priti vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet e 30 qershorit 2019, për të dekretuar votimet e reja.

Në zgjedhjet e 30 qershorit, opozita nuk mori pjesë, duke i bojkotuar ato. Këtë herë ajo ka konfirmuar pjesëmarrjen, por duket se do të hyjë e përçarë, për shkak të luftës së brendshme në Partinë Demokratike.

Ish kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij po paraqesin kandidatët e tyre, ndonëse ligjërisht Partia Demokratike përfaqësohet nga kryetari Lulzim Basha. Fragmentarizimi i opozitës mund të favorizojë dukshëm socialistët që aktualisht kontrollojnë të gjithë pushtetin vendor, veç Shkodrës.

Megjithatë, partitë kanë nisur takimet me strukturat dhe ndonëse ende jo zyrtarisht në çdo bashki, në media kanë nisur të përfliten emrat e mundshëm që pritet të kandidojnë në këto zgjedhje.  

Në Durrës:

Deri tani në media është përfolur se Lulzim Basha do të hyjë në garë me Luan Hotin, aktualisht kryetar i PD dega Durrës. Nga ana tjetër, Berisha do të ketë kandidat për Kryetar Bashkie në Durrës Ardian Mukën.

Për PS-në, kryetarja e komanduar e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako do të jetë kandidatja për kryetare në zgjedhjet e pjesshme.

Në Shkodër:

PS ka vendosur të kandidojë me Majlinda Angonin, e cila është aktualisht prefekte e këtij qyteti.  

Komisioni i Rithemelimit kandidon me kryetaren aktuale Voltana Ademi dhe ish-zëvendësministri i Shëndetësisë Bardh Spahia (primare), ndërsa PD-ja me Xhemal Bushatin, ish-kryetar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës. 

Lushnjë:

PS pritet të kandidojë me kryetaren e bashkisë në detyrë Eriselda Sefa dhe mjekun e njohur Asfloral Haxhiu.  Nga kampi demokrat i Lulzim Bashës po diskutohen emrat e Elton Banos dhe Darien Xhindolit.

Ndërsa nga grupimi i Sali Berishës ka publikuar emrat: Arben Zajmi, Elton Bano, Eurion Iljazi dhe Indrit Qerimi, që do të marrin pjesë në primaret për tu përzgjedhur si kandidate. 

Në Rrogozhinë:

PS mendohet se do të garojë me Mersin Muratin, i cili ka prefekt i Tiranës, por edhe me të komanduarin Edison Memolla, por ende nuk ka asgjë zyrtare.

Në Dibër:

Ende nuk ka konfirmime zyrtare, por sipas Ora Neës mazhoranca ka propozuar 4 emra: Agron Cara, Shkëlqim Murrja (Aktualisht kryetar i komanduar) , Agron Cerri(Kryetar i PS Dibër) si dhe Hysen Uka (Përgjegjës i zyrës së gjendjes civile Qarku Dibër).

Ndërsa në kampin blu është propozuar avokati Gentian Sadiku, avokatja Esmeralda Beça, Shkelzen Qoka dhe Jeton Kaloshi. Grupi i Rithemelimit nuk ka ende asnjë emër të propozuar.

Në Vorë nuk ka ende emra të përfolur.

PS dhe PD regjistrohen zyrtarisht në KQZ, LSI dorëzuar vetëm anëtarët e KZAZ-ve

Ndonëse kanë pasur mjaftueshëm kohë, (afati i fundit 31 janarit),  PD dhe PS janë regjistruar si subjekte zgjedhore në KQZ për zgjedhjet e pjesshme, si edhe kanë propozuar edhe emrat e anëtarëve të KZAZ-ve. LSI-ja ka zgjedhur që të marrë më tepër kohë, duke dorëzuar në KQZ vetëm anëtarët e KZAZ-ve, por pa u regjistruar si subjekt zgjedhore.

Është diskutuar mundësia që LSI-ja të bashkëpunojë duke bërë koalicion me Sali Berishën për nxjerrë një kandidatë të përbashkët në 6 Bashkitë, por mbetet për t'u parë në vijim.

Vakancat në Bashki:

SHKODËR: Valdrin Pjetri, për shkak të dekriminalizimit; vakant që prej datës 15 gusht 2019

VORË: Agim Kajmaku, për shkak të dekriminalizimit, vakant që prej datës 1 nëntor 2019

DURRËS: Valbona Sako, për shkak të dorëheqjes; vakant që prej datës 1 dhjetor 2019

DIBËR: Dionis Imeraj, Dibër, dha dorëheqjen pasi kandidoi për deputet; vend vakant që prej datës 8 mars 2021

RROGOZHINË: Haxhi Memolla, Rrogozhinë, ndahet nga jeta; që prej datës 22 shkurt 2020

LUSHNJË: Fatos Tushe, u shkarkua nga Qeveria, pasi u mor i pandehur nga SPAK për korrupsion, vakant që prej datës 7 korrik 2021.  

Të fundit