Flash News

E-TJERA

Deklarata e Yuri Kim për Sali Berishën, Basha vazhdon të heshtë

Deklarata e Yuri Kim për Sali Berishën, Basha vazhdon të

Ambasadorja amerikane Yuri Kim kërkoi një ditë më parë distancim të qartë të Partisë Demokratike nga ish-lideri i saj historik Sali Berisha, të cilit Departamenti i Shtetit, dy muaj më parë, vendosi që t’i ndalojë hyrjen bashkë me familjen në territorin amerikan, pasi e përfshiu në kategorinë e zyrtarëve të korruptuar që kishin minuar demokracinë.

Pas takimit me Bashën në selinë blu, ambasadorja amerikane shkoi dhe më tej me komentet e saj, kur u shpreh se "do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu".

Pak orë pas deklaratës së fortë, erdhi reagimi i ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai e cilësoi deklaratën e Kim si fyese, ndërsa shprehej i prerë nuk do të pengohet nga asgjë për të marrë mandatin e deputetit në shtator.  

Sot ambasadorja e SHBA Yuri Kim, me nje deklarate fyese per cdo demokrat dhe shqiptar duke iu përmendur barin, ne dhunim flagrant te misionit te saj, i kerkoi Kryetarit te PD qe Sali Berisha te mos futet ne parlamentin e ardhshëm. Lidhur me keto deklaroj sa vijon:

Asnje shpifje, trillim apo sajim nuk mund te pengoje kurre Sali Berishen te permbushe misionin e tij te besuar nga zgjedhesit shqiptar ne mbrojtje te interesit kombetar dhe publik te shqiptareve”, thuhej ndër të tjera në reagimin e parë të Berishës.

Ndërkohë, pas kërkesës së drejtpërdrejtë të ambasadores Kim, deri tani nuk ka patur asnjë reagim nga PD apo vetë kryedemokrati Basha.

Madje, dje, Zëri i Amerikës kërkoi një reagim nga Partia demokratike lidhur me komentet e zonjës Kim, por nuk mori asnjë përgjigje.

Nga ana tjetër, ish-lideri historik i PD, Sali Berisha u pyet në një intervistë në Ora News nëse kishte komunikuar me zotin Basha pas takimit që pati me ambasadoren amerikane.

Berisha tha se ka folur me të në telefon, por jo për deklarata e bëra nga ambasadorja.

“Me zotin Basha as nuk më tha as nuk i kërkova as nuk më kërkoi. Qëndrimi im është i prerë, unë jam në misionin tim të besuar nga qytetarët shqiptarë. DP nuk mund të bëhet kurrë parti e dhunimit të qytetarëve shqiptarë, as të sovranitetit të saj dhe të vendit. Duke thënë këtë përsëri ftoj cilin do përfaqësues të SHBA dhe të çdo vendi tjetër të paraqesë qoftë dhe një fakt të vetëm të vërtetë”, tha Berisha.

I pyetur nëse po e vë Bashën në pozicion të vështirë të zgjedhe mes tij dhe SHBA, Berisha tha “Përkundrazi, pozitë e vështirë do ishte nëse unë nuk do bëja këtë që po bëj, që të qëndroja për dinjitetin njerëzor, liritë e njeriut. Një parti që nuk qëndron për këto themele meriton të mos ekzistojë. Kjo është e vërteta e është e qartë për cdo demokrat”.

Ish-kryeministri u rizgjodh deputet në zgjedhjet e 25 Prillit dhe ka deklaruar se mezi pret të jetë në parlament në shtator. Edhe pas deklaratave të ambasadores Kim, Berisha deklaron se nuk tërhiqet dhe  se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga mandati i deputetit. 


 

Të fundit