Flash News

E-TJERA

Drejtësia në Fier ‘ngec’ që nga 2021: 2822 dosje në pritje

Drejtësia në Fier ‘ngec’ që nga 2021: 2822 dosje

Gjykata e Fierit përballet me një stok prej 2822 dosjesh, disa prej tyre të mbartura nga viti 2021. Sipas kryetarit të Gjykatës së Fierit, Noel Veizi, drejtësia është para së gjithash një shërbim për qytetarin dhe për besimin publik.

Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një aktiviteti të organizuar me rastin e Ditës së Drejtësisë, të hapur për mediat.

Veizi theksoi se kjo ditë shërben jo si festë por si moment reflektimi për sistemin e drejtësisë, duke vënë në dukje rëndësinë e shkollimit të magjistratëve të rinj për ndërtimin e një pushteti gjyqësor të pavarur dhe të drejtë.

Një nga sfidat kryesore, sipas tij, mbetet pikërisht ngarkesa e lartë me dosje të pazgjidhura, e cila ndikon drejtpërdrejt në kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore dhe në uljen e besimit të publikut.

Në aktivitet u zhvillua gjithashtu një bashkëbisedim mes përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë dhe akademikëve, ku u diskutuan historiku i sistemit dhe vështirësitë aktuale.

Theks i veçantë u vendos edhe te bashkëpunimi mes Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave, i vlerësuar si i domosdoshëm për përshpejtimin e proceseve dhe rritjen e cilësisë së vendimmarrjes.

 

Të fundit