Flash News

E-TJERA

Dhunimi i gazetarit nga RENEA/ Shoqata e Gazetarëve kërkon hetim: Të shkarkohen efektivët

Dhunimi i gazetarit nga RENEA/ Shoqata e Gazetarëve kërkon hetim:

Aksioni i RENEA-s në Shkodër, përveç operacionit përkapjen e personave me precedentë penalë, nuk ka kursyer as përfaqësues të medieve.

Gazetari Simon Shkreli është dhunuar nga efektivët e RENEA-s, teksa ishte duke filmuar aksionin. Pavarësisht thirrjeve të tij drejtuar efektivëve, ata nuk kanë ndalur me veprimet e tyre të paligjshme kundrejt tij.

Në një reagim, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë shkruan se gazetari është dhunuar në prani të dy fëmijëve të tij të mitur, pavarësisht se i ka paraqitur efektivëve të RENEA-s dokumentin e gazetarit.

Shoqata i ka bërë thirrje SHÇBA-së të hetojë rastin si dhe Drejtorit të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, të marrin masa që efektivë të tillë të nxirren nga radhët e uniformave blu.

Reagimi i Shoqatës së Gazetarëve:

SOLIDARITET ME GAZETARIN SIMON SHKRELI

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë shpreh indinjatën e thellë për dhunën verbale të ushtruar ndaj gazetarit Simon Shkreli nga efektivë të forcave të RENEA-s.

Gazetari po filmonte me celular një aksion që po zhvillohej në hapësirë publike në qytetin e Shkodrës dhe është dhunuar verbalisht duke u ofenduar me fjalë fyese, në sy të dy fëmijëve të mitur, edhe pse ka paraqitur dokumentin e gazetarit.

Kjo sjellje bëhet edhe më skandaloze pasi vjen nga forcat elitare të policisë së shtetit sic është RENEA e jo nga efektive të thjeshtë policie.

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë i shpreh solidaritetin kolegut Simon Shkreli dhe i bën thirrje SHCBA-së të hetojë këtë rast dhe të verë para përgjegjësisë ligjore autorin apo autorët.

U bëjmë thirrje Drejtorit të Policisë së Shtetit dhe Ministrit të Brendshëm që të marrin masa, që efektivë të tillë, të nxirren jashtë radhëve të uniformave blu.

Të fundit