Flash News

E-TJERA

Miratohet në Kuvend projektligji ‘Për barazinë gjinore’, opozita kundër: Dëmton thelbin e familjes

Miratohet në Kuvend projektligji ‘Për barazinë

Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot me 77 vota pro, 36 kundër dhe 4 abstenime projektligjin “Për barazinë gjinore”, nismë e qeverisë. 

Projektligji, i cili ka qenë pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të integrimit europian ka ngjallur debate të forta në sallën e Kuvendit, veçanërisht nga radhët e opozitës.

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij, e cilësoi miratimin e ligjit si “një hap historik drejt një shoqërie më të drejtë dhe moderne”, duke theksuar se barazia gjinore nuk dëmton familjen, por e forcon atë.

“Ky ligj nuk është kundër familjes, por kundër diskriminimit. Nuk është një projekt per ideologji, por për drejtësi dhe respekt të ndërsjellë”, u shpreh Rama.
Ndryshe nga mazhoranca, opozita votoi kundër, duke argumentuar se ligji, në disa pika të tij, “rrezikon të cenojë vlerat tradicionale të familjes shqiptare”.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e quajti nismën një përpjekje për të imponuar koncepte që nuk përputhen me moralin, kulturën dhe strukturën shoqërore të vendit.

“Ky ligj dëmton thelbin e familjes shqiptare. Familja është themeli i kombit, dhe çdo përpjekje për ta relativizuar atë është e papranueshme,” deklaroi Berisha jashtë Kuvendit.

Edhe komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Marta Kos, ka reaguar për deklaratat e kreut demokrat Sali Berisha ndaj ambasadorit të BE-së në Tiranë Silvio Gonzato. 

Kos shprehet se sulme të tilla janë të papranueshme.

“Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE-së. Përputhja me të është pjesë e procesit të pranimit në BE. Kjo nuk është një kërkesë private e Ambasadorit të BE-së në Shqipëri. Çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm”, shkruan Marta Kos.

Pas saj, reagoi sërish Berisha duke sqaruar se nuk ka fyer asnjë ambasador, por ka shprehur vetëm qëndrimet e tij lidhur me ligjin për barazinë gjinore. 

Të fundit