Flash News

E-TJERA

Nesër seanca për shkarkimin e Metës, Kushtetuesja kërkon 70 përgjigje nga Presidenca

Nesër seanca për shkarkimin e Metës, Kushtetuesja kërkon 70

Gjykata Kushtetuese do të zhvillojë nesër seancën e radhës për të marrë një vendim për shkarkimin ose jo të presidentit Ilir Meta. Seanca e parë në Kushtetuese u mbajt më 31 janar. Pas dy orësh diskutime, Gjykata Kushtetuese u tërhoq për të marrë një vendim.

Përfaqësuesi ligjor i presidentit, Bledar Dervishaj, kërkoi nga Kushtetuesja dorëheqjen e gjyqtarëve me argumentin se ishin në konflikt interesi, ndërsa kryetares së trupës, Vitore Tusha, i kishte përfunduar mandati.

“Kërkojmë secili prej gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të vlerësojë shkaqet për çështjen dhe palët në këtë gjykim për t’u shprehur me vendim, nëse secili prej këtyre gjyqtarëve të dorëhiqet. Në trupën aktuale ka shkaqe të cilët duhet të dorëhiqen. Gjykata ka 7 anëtarë, 6 janë zgjedhur nga kuvendi e presidenca që janë në konflikt. Anëtari i 7 ka kaluar mandate prej 9 vitesh, rasti i zonjës Vitore Tusha”, tha Dervishaj.

Në kërkesën e depozituar nga Presidenca pranë Gjykatës Kushtetuese, argumentohej arsyeja se pse presidenti Meta kërkonte dorëheqjen e trupës gjykuese.

“1. Kryetarja aktuale e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, është duke ushtruar detyrën e gjyqtarit kushtetues, në vitin e 5-të përtej mandatit kushtetues. 2. Tre anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese (zonja Xhaferllari, zonja Toska dhe zonja Papajorgji) janë zgjedhur përgjatë legjislaturës së IX-të të Kuvendit (nëntor 2019) kur midis dy organeve Kuvend-President, ka ekzistuar një marrëdhënie e tensionuar dhe konfliktuale, e shkaktuar nga mazhoranca. 3. Ekzistenca e një kërkese për procedim disiplinor ndaj një apo disa gjyqtarëve kushtetues për çështjen e zgjedhjeve vendore 2019, paraqitur në 24.1.2022. 4. Për relatorin e çështjes objekt shqyrtimi, z. Përparim Kalo, prej datës 24 dhjetor 2021, kanë dalë në publik fakte që bëjnë të vihet në dyshim paanshmëria e tij”, janë ndër argumentet e shkruara në kërkesën e Presidencës.

Në seancën e 3 shkurtit, Kushtetuesja vendosi që ta shtyjë gjykimin e çështjes për ditën e hënë, datë 7 shkurt. Arsyeja ishte kërkesa e përfaqësuesit ligjor të presidentit, Bledar Dervishaj, i cili kërkoi 48 orë kohë për të shyqrtuar afro 70 pyetje që Kushtetuesja i drejtoi pikërisht Dervishajt.

Përfaqësuesja e Kuvendit dhe njëherazi deputetja socialiste, Klotilda Bushka, e konsideroi të panevojshme afatin e kërkuar nga Dervishaj, duke theksuar nevojiten vetëm dy orë për të analizuar dhe për t’i dhënë përgjigje pyetjeve që trupa gjykuese e Kushtetueses i drejtoi Presidencës.

Presidenti Ilir Meta u shkarkua nga Kuvendit më 9 qershor të vitit të kaluar, me 104 vota pro. Gjykata Kushtetuese është organi që i takon të japë verdiktin e fundit për të shkarkuar ose jo presidentin. Ilir Meta bëhet presidenti i parë në Republikën e Shqipërisë që shkarkohet me nismë nga Kuvendi.

Të fundit