Flash News

E-TJERA

Plagosja e dyfishtë në Sarandë/ Identifikohen tre autorët, cili dyshohet se ka qenë shkaku

Plagosja e dyfishtë në Sarandë/ Identifikohen tre autorët,

Policia ka identifikuar autorët e plagosjes së dyfishtë të mëngjesit të sotëm në Sarandë, ku nga breshëria e automatikut mbeti i plagosur rëndë biznesmeni Spiro Iljadhi, 35-vjeç, si dhe u plagos në fundshpinë një kalimtar i rastit, turisti shqiptaro-amerikan Mario Jani, 33-vjeç.

Burime zyrtare bëjnë me dije se janë shpallur në kërkim shtetasit: Andrea Caushi , 35 vjeç, Visi Caushi, 33 vjeç (vëllezër) si dhe Redjan Haderi, 33 vjeç, të tre banues në Tepelenë.

"Këta shtetas, rreth orës 03:50, në lagjen Nr.1, Sarandë, në afërsi të një lokali, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë plagosur me armë zjarri shtetasin Spiro Iljadhi, 35 vjeç, banues në Sarandë dhe një kalimtar të rastit shtetasin Mario Jani, 33 vjeç, banues në Tiranë, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit, për motive të dobëta, midis autorëve të dyshuar dhe Spiro Iljadhit." thuhte në njoftimin e policisë.

Spiro Iljadhi është pronari i lokalit të njohur në Sarandë, "Bar Orange". Ai njihej gjithashtu edhe me emrin Ermal Iljazi, ndërsa shkurt thirrej me emrin 'Ero'.

Biznesmeni u transportua me helikopter në spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet në gjendje të rëndë. Mësohet se plumbat e kanë prekur në bark, ka dëmtime të zorrëve dhe ndodhet në sallën e operacionit.

Policia po punon për kapjen e autorëve dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave e mbetur në tentative e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Të fundit