Flash News

E-TJERA

Shifrat rekord të infektimeve ezaurojnë kapacitetet e tre spitaleve Covid. A ka shtretër të lirë?

Shifrat rekord të infektimeve ezaurojnë kapacitetet e tre spitaleve

Rritja e numrit të të infektuarve me covid-19  po çon drejt ezaurimit kapacitetet e tre spitaleve Covid, 1, 2 dhe 3.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi pasditen e 24 nëntorit se aktualisht në të treja spitalet COVID, po trajtohen 455 pacientë, 21 në terapi intensive, 7 pacientë janë të intubuar.

Në kushte të tilla, dukshëm kapacitetet nuk përballojnë më pacientë të tjerë, pasi në të treja ka në dispozicion maksimumi deri në 470 shtretër.

Të dielën që lamë pas, Ministria shtyu hapjen e spitalit Covid4 që ndodhet në aksin Tiranë-Durrës, i cili do të ketë gjithsej 100 shtretër, duke hapur një pavion te Covid 3 me 50 shtretër të rinj.

Sipas strategjisë së vjeshtë dimrit të hartuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, është parashikuar dhe hapja e disa spitaleve rajonale për trajtimin e pacientëve Covid, nëse do të jetë e nevojshme, duke konsideruar dinamikën e situatës.

Dje, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu inspektoi spitalin Covid-4. E sigurt se hapja e tij mund të shtyhet edhe për disa ditë, ministrja tha se në tri spitalet Covid nuk janë ezauruar shtretërit ende. 

Spitali Covid 4 gjithashtu do të vendoset në një kohë të shpejtë në dispozicion të pacientëve për trajtimin e Covid19, me ezaurimin e kapaciteteve të 3 spitaleve COVID”, tha Manastirliu.

Poll

Ndryshe nga ministrja dhe autoritetet shtetërore një tjetër panoramë është shfaqur këto ditë në media. Pacientë që presin nëpër autoambulanca për t’u shtruar, teksa ishin ‘parkuar’ në oborrin e ‘Shefqet Ndroqit, ndryshe Covid 2 me kapacitet 200 shtretër.

Opozita ka ngritur vazhdimisht shqetësimin për mungesën e kapaciteteve, ndërsa autoritetet e kanë mohuar.

Por pamjet e sjella në media flasin të kundërtën, ndërsa A2 solli rastin e një pacienti të moshuar, teksa ishte në ambulancë dhe vendosi të heqë tubin e oksigjenimit e të hyjë vetë në spitalin Covid 2. Si duket, nuk gjeti një shtrat të lirë dhe pas disa minutash personeli mjekësor e pozicionoi sërish në autoambulancë.

Shifrat rekord të infektimeve ezaurojnë kapacitetet e tre spitaleve

Po ashtu, edhe e bija e një tjetër pacienti deklaroi dje se i ati kishte qëndruar rreth 10 orë në autoambulancë pasi nuk kishte hapësira të mjaftueshme, kryesisht për pacientët që duhej të trajtoheshin me oksigjen.

Të tre spitalet Covid kanë në total 470 shtretër, prej të cilëve 120 në spitalin Covid 1 në Shërbimin Infektiv, 200 në spitalin Covid 2 tek Sanatoriumi dhe 150 në Covid 3.

E marta e kësaj jave shënoi rekord viktimash, 19 humbje jete në 24 orë dhe 744 të infektuar.

Në total, prej fillimit të pandemisë janë shënuar 735 viktima.

Të fundit