Flash News

E-TJERA

SPAK kërkon gjykimin e 27 të pandehurve për trafik qeniesh njerëzore

SPAK kërkon gjykimin e 27 të pandehurve për trafik qeniesh

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të premten më 11 prill përfundim të hetimeve ndaj 27 të pandehurve, të akuzuar si anëtarë të dy grupeve kriminale me veprimtari trafikimin e qenieve njerëzore nga vendet e Azizë Jugore dhe Afrikës Qendrore drejt Shqipërisë, me destinacion përfundimtar vendet e Bashkimit Evropian. Mes të pandehurve ka dhe punonjës policie e biznesmenë që kanë ndihmuar në kryerjen e aktivitetit të paligjshëm.

SPAK kërkon kalimin për gjykim të çështjes ndaj 27 të pandehurve për veprat penale“Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë me qëllim përfitimi, “Falsifikim i dokumentave”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë atë të grupit kriminal,“Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi kriminal”, dhe “Korrupsion  aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim. Dy grupet u goditën një vit më parë, kur ndaj 21 prej të hetuarve u caktuan masa sigurimi personal “arrest në burg”.

Sipas prokurorisë, nga hetimi është provuar ekzistenca e dy grupeve kriminale, të përbërë nga shtetas shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë organizuar kalimin e paligjshëm të kufirit shqiptar të mbi 650 shtetasve të huaj, kryesisht nga Bangladeshi dhe Kameruni, gjatë vitit 2023 deri në prill të vitit 2024, kundrejt përfitimeve materiale. Në njoftim thuhet se këto dy grupe dyshohet të kenë kryer të njëjtën veprimtari edhe në vitin 2022.

Shqipëria është përdorur si vend tranzit, ku pasi është është lehtësuar hyrja e ligjshme nëpërmjet procedurave fiktive, më vonë është mundësuar udhëtimi i një pjese të të  interesuarve drejt vendeve të Bashkimit Evropian përmes transportit ajror, po në mënyrë në ligjshme. Ndërsa trafikimi në mënyrë të paligjshme është mundësuar përmes transportit tokësor, nga Shqipëria në Kosovë e më pas në Serbi.

Veprimtaria e dy grupeve fillonte me rekrutimin e shtetasve të huaj në vendet e origjinës, përmes agjensive që operojnë në Emiratet e Bashkuara, Dubai apo edhe në Kamerun. Në vijim të pandehurit kryenin ndërmjetësimin e punësimit, duke nisur me aplikimin për punësimin e tyre në shoqëri të ndryshme tregtare të regjistruara në Shqipëri, kryesisht në Tiranë, Vlorë dhe Durrës. SPAK vëren se në disa raste, ortakët apo administratorët e këtyre shoqërive ishin në dijeni të fiktivitetit të punësimit dhe konsiderohen edhe ata si anëtarë të grupeve kriminale.

Të tjerë anëtarë të këtyre grupeve kujdeseshin për falsifikimin e kontratave të qirasë e të punës, ftesat për punësim, çertifikatat profesionale apo ato të njohjes së gjuhëve të huaja, që ishin të domosdoshme për procedurat për t’u pajisur me vizën përkatëse.

Shtetasit e trafikuar nga Bangladeshi është provuar se paguanin deri në tetë mijë euro për këtë shërbim që iu ofrohej nga grupet kriminale. Shumat monetare paguheshin prej tyre kryesisht në Dubai dhe më pas transferoheshin në Shqipëri tek drejtuesit e grupit, nëpërmjet sistemit “Haëala” – një sitem informal dhe popullor për transferimin e parave

Nga kontrollet e ushtruara në banesat e të pandehurve janë sekuestruar 700 mijë USD; 400 mijë euro, 4 000 paund dhe 520 mijë lekë. Reporter.al

Të fundit