Flash News

E-TJERA

Vrasja e të moshuarit, arrestohen dy infermieret e azilit

Vrasja e të moshuarit, arrestohen dy infermieret e azilit

Prokuroria e Tiranës ka arrestuar kryeinfermieren dhe infermieren e azilit privat të të moshuarve “Ruaje moshën”, të cilat kanë qenë në punë gjatë kohës që u regjistrua krimi në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Ende nuk dihet identiteti i infermiereve, teksa mësohet se arrestimi i tyre është bërë pasi nuk kanë kallëzuar ngjarjen. 

Burime bëjnë me dije se dy infermieret nuk kanë marrë në telefon Policinë, por kanë marrë në telefon agjenci funerale.

Para grupit hetimor, ato kanë pretenduar që nuk e kanë kuptuar që Zyhdi Shehi kishte vrarë Virxhil Veshon, por sipas tyre kanë menduar se është rrëzuar dhe i ka ardhur vdekja nga kjo, dhe jo nga dhuna e ushtruar nga shoku i dhomës së azilit.

Kujtojmë se rreth orës 04:00 të mëngjesit, 78-vjeçari Zyhdi Shehu ka goditur disa herë me bostum (shkop hekuri) 82-vjeçarin Virxhil Vesho në kokë dhe në trup, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.

Krimi dyshohet se ndodhi pas një sherri mes tyre për motive të dobëta, ku dyshohet se shkaku ka qenë krevati për të cilin Zyhdi Shehu pretendonte se ia kishte zënë shoku i dhomës. Nga informacionet paraprake, rezulton se si viktima dhe autori vuanin të dy nga skleroza.

Pas krimit, 78-vjeçari u arrestua nga Policia e Tiranës, teksa akuzohet për veprën penale “Vrasje me dashje”.

“Më bullizonte, më zinte rrugën”, mësohet se ka deklaruar Zyhdi Shehu para grupit hetimor për shokun e tij të dhomës, viktimën Virxhil Vesho.

 

Të fundit