Flash News

E-TJERA

Çyrbja e strehoi në banesë pas vrasjes së Jan Prengës, kush është “Mond Çekiçi”, ish-anëtar i ‘Bandës së Durrësit’

Çyrbja e strehoi në banesë pas vrasjes së Jan

Bisedat e përgjuara në aplikacionin e koduar SKYECC, të cilat çuan në arrestimin e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, kanë nxjerrë në skenë emrin e një figure të njohur të botës së krimit, Edmond Koçi, i njohur ndryshe si "Mond Çekiçi". Koçi, i cili u ekzekutua me armë zjarri në mars të vitit 2021, dyshohet se ka ndikuar drejtpërdrejt në përfshirjen e Çyrbes në listën e sigurt të kandidatëve për deputetë në qarkun e Durrësit.

Sipas të dhënave nga hetimet, personazhe të njohura të botës kriminale, përfshirë Koçin dhe Altin Hajrin – i shpallur në kërkim për zhdukjen e Jani Prengës – kanë ndërhyrë që Çyrbja të përfshihej në listën zgjedhore. Këto ndërhyrje janë zbuluar përmes komunikimeve në SKYECC, një aplikacion i përdorur nga grupet kriminale për të shmangur përgjimet.

Edmond Koçi, ish-anëtar i bandës së Durrësit dhe i njohur si një nga figurat më të rrezikshme të këtij klani kriminal, u vra më 20 mars 2021 në një atentat të përgatitur me kujdes. Autorët, të maskuar me veshje ushtarake, pritën Koçin në rrugë dhe e ekzekutuan me breshëri automatike brenda 20-30 sekondave. Makina e përdorur në atentat, një "Benz" i zi, bllokoi rrugën duke parandaluar çdo arratisje të mundshme nga viktima.

Mond Çekiçi kishte një histori të gjatë me drejtësinë dhe ishte konsideruar prej kohësh një person me rrezikshmëri të lartë nga Policia e Durrësit. Ai kishte qenë pjesë e një grupi të fuqishëm kriminal dhe ishte dënuar disa herë për armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim të forcave të policisë. Në maj të vitit 2009, ai u dënua me dy vite burg për mbajtje të armëve pa leje. Megjithatë, në shtator 2020, ai u arrestua sërish për të njëjtën akuzë, por u lirua me masën e arrestit në shtëpi nën pretekstin e përkeqësimit të shëndetit për shkak të pandemisë COVID-19.

Pavarësisht vendimit të Gjykatës së Durrësit për arrest shtëpie, Koçi nuk respektoi masën dhe qarkullonte lirshëm në qytet deri në momentin e atentatit fatal në mars 2021. Vrasja e tij është pjesë e një zinxhiri krimesh dhe rivalitetesh brenda grupeve kriminale që kanë ndikim të fortë në jetën politike dhe shoqërore në vend.

Të fundit