Flash News
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Yuri Kim për Tom Doshin: S'do të thotë se është njeri i mirë, nëse të paguan faturën e spitalit apo vjen në dasmën e vajzës tuaj
Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka sulmuar sërish kryetarin e PSD-së, Tom Doshi lidhur me kandidimin e tij në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Sipas Kim, shpallja "non grata" nga ShBA për të ka më shumë peshë, se faturat e dyqaneve apo spitaleve që mund të paguajë ai për qytetarët. Ajo iu drejtua qytetarëve shqiptarë se nëse dikush vjen në dasmën e vajzës tënde, sipas saj nuk do të thotë se ai është njeri i mirë.
Diplomatja amerikane deklaroi se ShBA-ja e ka bërë të qartë se kush nuk duhet të jetë në Kuvend dhe iu bëri më tej apel shqiptarëve që të mos e shesin votën, por të mendojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre.
"Ka mjaft boshllëqe dhe mendoj se votuesit shqiptarë janë të mençur. E dinë se kush bën çfarë. Kur kërkoni ndihmën e Shteteve të Bashkuara, ju kemi treguar qartë se kush nuk duhet të jetë në parlament, kush nuk duhet t’ju përfaqësojë. Ky person është dikush të cilit i ndalohet të hyjë në Shtetet e Bashkuara, në të gjithë vendin, nga Sekretari i Shtetit, për korrupsion madhor, ndaj mendoj që kjo ka më shumë peshë se çfarëdo fatura dyqanesh që paguan, çfarëdo fature spitali që ka paguar. Fakti që vjen në dasmën e vajzës tënde nuk do të thotë se është njeri i mirë. Dakord? Ndaj, mendoj se votuesit duhet ta mendojnë këtë. Duhet të vrasin mendjen, kur kriminelët dhe të tjerët vijnë tek ata për t’iu blerë votat… Pse i quaj kriminelë? Sepse përpjekja për të blerë vota është një krim ndaj jeni një kriminel. Nëse përpiqeni të bleni një vote, jeni një kriminel. Për votuesit, duhet të vendosin. Do ta shes pushtetin që kam? Do ta shes dinjitetin? Do ta shes të ardhmen e fëmijëve? Mendoj se përgjigja duhet të jetë: Jo. Nëse dikush s’ka bërë asgjë për ty përveç gjërave të tmerrshme, duke vjedhur nga publiku për 4 vjet apo sado gjatë dhe pastaj para zgjedhjeve vjen dhe paguan faturat e tua ose të jep një iPhone të përdorur, e dini, ju vleni më shumë se kaq. Shqipëria vlen më shumë se aq. Fëmijët e Shqipërisë vlejnë më shumë se aq prandaj ky është një çast i vërtetë. Mos e merrni lehtë; mos shisni votën; mos u përpiqni të bleni një vote dhe nëse e bleni, duhet të shkoni në burg dhe shpresoj se prokurorët kudo në vend do t’i marrin detyrat e tyre seriozisht. E di që ka shumë ankesa nga zgjedhjet e fundit, që njerëzit që qartësisht kryen krime nuk u ndoqën penalisht. Nuk mendoj se duhet të ndodhë edhe këtë herë. Kjo është një situatë ku mendoj se njerëzit kanë të drejtë të jenë të inatosur; kanë të drejtë të jenë të pakënaqur; dhe kanë të drejtë të kërkojnë drejtësi dhe të kërkojnë llogari.”, tha ambasadorja Kim në RTSH.