Flash News

KRYESORE

Erion Veliaj nuk pret Edi Ramën: Në Tiranë do të rikandidoj unë

Erion Veliaj nuk pret Edi Ramën: Në Tiranë do të rikandidoj

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i ka dhënë fund lojës së kryeministrit Edi Rama dhe ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për një mandat të dytë.

Në një intervistë për ‘Top Channel’, Veliaj është shprehur: “Mezi e pres që të fillojmë këtë mandat të dytë, me projekte të reja, por dhe me gjëra që kemi mësuar si t’i bëjmë më mirë”.

Por në një kohë kur disa burime mediatike raportojnë se Partia Socialiste ka shtyrë publikimin e emrave të kandidatëve për bashkitë, Veliaj shprehet i bindur se rikonfirmimi i tij do të bëhet të shtunën, në Kongres.

“Të jemi të gjithë të shtunën në Kongresin e PS-së, ku ne do të shpallim në publik, jo në salla të mbyllura, kandidaturën për një mandat të dytë të Tiranës, si dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës, në orën 11 te sheshi ‘Nënë Tereza’. Është një mënyrë që qyteti ngre kokë dhe më shumë se një përsëritje e Ditës së Verës, në një pranverë të fushatës sonë të dytë”, ka thënë kryebashkiaku.

Ndërkohë që për takimin në sheshin ‘Nënë Tereza’, ku Veliaj thotë se do bëjë publike emrat e kandidatëve për këshillin, militantët e Partisë Socialiste janë njoftuar prej ditësh për të konfirmuar pjesëmarrjen.

Ndonëse kryeministri Rama ka dhënë herë pas here sinjale se Veliaj do të jetë sërish kandidat për Tiranën, ai nuk e ka konfirmuar ende zyrtarisht. Rama është vënë në presion edhe nga shumë zyrtarë socialistë, të cilët e kanë mbështetur kandidaturën e Veliajt, pasi shihet edhe si pasuesi i tij në krye të partisë.

Të fundit