Ermal Meta dhe shumë artistë shqiptarë të njohur ndërkombëtarisht kanë marrë si iniciativë rindërtimin e të prekurve nga tërmeti në Shqipëri.
Përmes një postimi në Instagram, ditën e djeshme, këngëtari shqiptar Ermal Meta ka njoftuar se ai ka zgjedhur t`i bashkohet apelit të Erion Veliajt dhe të rindërtojë shtëpinë e familjes Alla, në mënyrë që Brisilda, Erseda, Erildi dhe familja e tyre të mos e kalojnë dimrin mes rrënojave e të ftohtit.
“Kam ndjekur me shqetësim këto ditë ngjarjet në Shqipëri dhe bashkohem me dhimbjen e atyre që humbën njerëzit e tyre të dashur. Vendosa t’i bashkohem apelit të @erionveliaj duke dhenë kontributin tim për të ndihmuar në ringritjen e shtëpisë së familjes Alla, që Brisilda, Erseda, Erildi dhe familja e tyre të mos e kalojnë dimrin mes rrënojave e të ftohtit. Por ashtu si familja Alla, ka ende shumë të tjera që kanë nevojë për ndihmën tonë dhe unë do t’ju lutesha të jepnit të gjithë një kontribut, sado i vogël qoftë nëpërmjet portalit https://e-albania.al,”- shkruan Meta në postimin e tij në Instagram, ku edhe ka postuar foton e familjarëve që do përfitojnë nga ndihma e tij.
Discussion about this post