OP-ED

Fjalorth heretik

Fjalorth heretik

nga Virgjil Muçi

 

DEMOKRACI – Cilindo fjalor të shfletosh në të gjitha gjuhët e shkruara të botës, kjo fjalë me prejardhje nga Greqia e lashtë ka vetëm një kuptim – pushteti i popullit. Dikur, për brezin tim, një aspiratë me përmasa biblike si ajo e hebrenjve për të mbërritur në Tokën e Premtuar, sot kjo ëndërr e lashtë, e shfrytëzuar dhe e shpërdoruar nga të gjithë llojet e diktaturave e të diktatorëve, është shndërruar në një eufemizëm të liberalizmit, në eufemizëm të një shoqërie ku sundojnë 3 K-të – Korrupsioni, Kleptokracia, Kriminaliteti -, si dhe një eufemizëm që regjimet e sotme autoritare e populiste që gëlojnë si kërmijtë pas shiut e përdorin si gjethe fiku për të mbuluar e përligjur abuzimin me lirinë.

METAMORFOZË – Sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe të vitit 1954, metamorfoza është ndërrimi i trajtës e i strukturës së disa amfibëve dhe insekteve prej lindjes gjersa e përfundojnë zhvillimin e tyre; figurativisht, ndërrim i madh në koncepte e në karakter. Pra, duke u nisur nga kuptimi burimor i fjalës në kuptimin biologjik kemi të bëjmë me një proces të natyrshëm e të domosdoshëm në kohë, ndërsa në atë figurativ, kemi të bëjmë me një shfytyrim të qenies njerëzore; thënë me fjalë të tjera, një deformim të karakterit dhe të krejt qenies për arsye që, siç duket, nuk kanë të bëjnë me vetë natyrën e qenies, por me një orvajtje të saj për t’ia përshtatur ekzistencën interesave meskine të çastit. Këqyrur nga ky kënd, metamorfoza ngjan të jetë dukuria më e rëndomtë dhe kuptimplotë në një pjesë të shoqërisë shqiptare pas viteve nëntëdhjetë, veçmasi e politikanëve shqiptarë.

FANATIZËM – Epoka e sotme është shprehja më elokuente e kontradiktave të fshatit global, në qoftë se mund të shprehem kështu. Nga njëra anë teknologjia endet hapësirave të gjithësisë dhe shkenca diskuton mundësinë e shtegtimit të sojit njerëzor drejt planeteve të tjera dhe kolonizimit të tyre për të siguruar mbijetesën përkundrejt sfidës së zhdukjes, nga ana tjetër fanatizmi e në radhë të parë ai religjioz i ngjan një vullkani në erupsion që në furinë e vet shkatërrimtare dëshiron të përpijë gjithçka që gjen përpara. Ashtu si asnjëherë tjetër qytetërimet i ndërsehen njëri-tjetrit dhe me gojën e shkumëzuar nga tërbimi hakërrehen se do ta zhbijnë shoqi-shoqin, vetëm e vetëm për faktin se tjetri është ndryshe prej nesh, se beson në një entitet të ndryshëm ose nuk beson fare; vetëm e vetëm se nuk pranon ta shkëmbejë lirinë me asgjë në këtë botë. Antidoti më i mirë ndaj fanatizmit është herezia, si shprehje e rebelimit, e moskonformimit dhe e mosnënshtrimit ndaj çdo orvajtjeje për ta kontrolluar e skllavëruar njeriun fizikisht e shpirtërisht. Vrit injorancën dhe e ke zhdukur fanatizmin.

DASHURI – Dikur shkrova një tregim të gjatë që e titullova “Dashuria nuk troket dy herë”; edhe pse e di që shumë vetë, ndoshta pjesa më e madhe e njerëzve, mendojnë ndryshe lidhur me këtë temë. Pavarësisht se mund të vij e të shfaqet në trajta nga më të ndryshmet – çka shëmbëllen me shprehjen e njohur biblike “rrugët e Zotit janë të shumta”. Diku kam lexuar se ekziston një lule në shkretëtirë që lind vetëm një herë dhe jeton njëzetekatër orë. Kjo është Dashuria. Të tjerat janë dashuriçka! 

MAKS – Maksi nuk është më. Vdiq një ditë të ftohtë nëntori vitin e kaluar, një ditë mbasi isha larguar nga Tirana dhe ndodhesha larg, shumë larg për t’u kthyer dhe për t’i hedhur një grusht dhe mbi varr. Më  mirë e më shumë se çdo libër, Maksi më mësoi ta dua natyrën dhe kafshët; më mësoi se të gjitha qeniet e gjalla, papërjashtim, vinë në këtë botë për të dashuruar dhe për t’u dashuruar. Dhe si për ta dëshmuar këtë fali gjithçka pa kërkuar asgjë në këmbim. 

KAMELEONI(ZËM) – Sipas fjalorit të zoologjisë kameleoni – emri shkencor chameleonidae - është një zvarranik i familjes së hardhucës që ka aftësinë të ndërrojë ngjyrë e të njëjtësohet me mjedisin që e rrethon për t’u fshehur prej armiqve e për të mbijetuar. Kameleonizmi si dukuri njerëzore është një prej tipareve më të spikatura të shoqërisë sonë, e cila e ka përvetësuar në shkallën më të lartë këtë aftësi të botës shtazore dhe e përdor hem për t’u mbrojtur dhe, paradoksalisht, hem për të shpalosur vanitetin e vet. Si dukuri sociale më mrekullon aftësia e njerëzve, të vetmes qenies racionale në planet, për të huazuar e shkërbyer tiparet e vetitë e një qenie tjetër që zë një vend poshtë tij në zinxhirin e jetës. 

LETËRSI – Letërsia si një nga format e shprehjes artistike është mishërimi më i lartë i lirisë së njeriut. Mbyllini sytë për një çast dhe përfytyroni një shoqëri që ka një sistem kinse demokratik, por ku nuk ekzistojnë shkrimtarët dhe librat. Kush nuk e ka lexuar librin e Ray Bradburyt “Fahrenheit 451” - një distopi e mrekullueshme politike ku zjarrfikësit janë zjarrvënës dhe djegës librash, ndërsa poetët, siç thoshte Migjeni, shndërrohen në varre të poezive të tyre - duhet ta lexojë një orë e më parë për të kuptuar vendin e pazëvendësueshëm që zë në universin tonë shpirtëror letërsia e arti në një kuptim më të gjerë. “Arti është vepër e vanitetit ndërsa morali është mungesa e vanitetit”, thotë Danillo Kishi. Ndonëse ngjan sikur bie ndesh me çka thashë më lart, kjo shprehje që më pëlqen pamasë, shpalos në thelb dimensionin fund e krye human të krijimtarisë njerëzore, duke e zbritur nga qielli dhe ulur me këmbët në tokë. Atje ku edhe e ka vendin.

Të fundit