Flash News

KRYESORE

Java në GIF: në 30 vjet, e vetmja arritje shkencore e Gjinushit...vetullat

Ina Xhani

Para disa javësh, kisha ‘harruar’ t’i dërgoja rubrikën drejtorit të Politiko, dhe më çoi një mesazh në WhatsApp: “prapë harrove.” Ju përgjigja me një justifikim se gjoja kisha punë, por ajo që kisha në majë të gjuhësh ishte: ti nuk më paguan mjaftueshëm për të acaruar nervat me leximin e përditshëm të lajmeve nga Shqipëria. Është e vërtetë. Unë jam larguar nga ai vend...pse dreqin vazhdoj të lexoj lajme si këto:

Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur në studion e “Opinion” se Edi Rama është i droguar. Për të dëshmuar ‘vërtetësinë’ e këtyre pretendimeve, ai ka nxjerrë tabletin e tij dhe ka treguar foto ku pretendohet se Rama është duke konsumuar drogë. Ndërsa disa të pranishëm në studio thanë se ato mund të jenë fotomontazhe, Berisha këmbënguli se testi i drogës duhet të jetë detyrim për politikanët, duke anashkaluar faktin se fotot e paraqitura ishin te montuara.

Por nuk është vetëm Berisha. “Bir komunisti; ballist; pula; neofashist”, këto janë diskutimet që zhvillohen në Parlamentin shqiptar.

Skënder Gjinushi është zgjedhur kryetar i Akademisë së Shkencave. Dua të di si mund të emërohet në krye të Akademisë së Shkencave dikush që ka 30 vjet pa publikuar një kërkim shkencor, një ‘white paper’, një libër, një postim në Facebook, një cicërimë në Twitter…. Ndonjë gjë….çfarëdolloj gjëje që të ketë edhe 0.01% lidhje me shkencën.

Nëse vini Gjinushin në krye të Akademisë së Shkencave, më bëni dhe mua Shefen e Drejtëshkrimit të Ë-ve dhe i vëmë kapakun këtij muhabeti.

Por ndoshta unë jam e padrejtë dhe e verbuar nga xhelozia për arritjet e Gjinushit, dhe ai në të vërtetë e meriton të jetë në krye të Akademisë së Shkencave. Për shembull, ai e di që një grua që bën pyetje është e eksituar, dhe eksitimi është baraz me sëmundje dhe ka nevojë për mjekim.

Më vjen keq për Gjinushin, të cilit jo vetëm i është dashur të jetojë me një palë vetulla që kanë prefiksin e tyre telefonik, por kurrë në jetën e tij nuk ka provuar ç’a është eksitimi….në ndjesinë më të parë e ka dëndur veten me ilaçe. Ngushëllimet e mia, Gjinush!

Më vjen edhe më keq për ata që kanë firmosur këtë peticionin. Ju prisni një ish-profesor të monizmit që të kërkojë falje?

Në Shqipëri dalin përkrah fotos së diktatorit Hoxha dhe nuk ua bën syri tërr fare, jo më të kërkojnë falje për batutat idiote që iu thonë gazetareve çdo ditë.

Në Shqipëri, një nga vendet më të varfëra në Europë dhe ku hallet e shqiptarëve zgjidhen veç nga mëshira e shqiptarëve të tjerë, për një pishë paguhet 5500 Euro. Por të mos nxitohemi me paragjykimet tona… ndoshta pishat bëjnë boçe me para?

Nëse paratë e taksapaguesve shqiptarë nuk shpërdorohen mjaftueshëm me mbjellje dhe çmbjellje pemësh, ka mënyra të tjera për ta arritur këtë.  Para katër muajsh u inaugurua godina e re e Komisariatit nr. 6 në Tiranë. Investimi, nga fondet e shtetit, ishte në vlerën 239 milionë lekë. Para 6 ditësh, hyrja e godinës u shemb. Kaq! Thjesht u shemb! Mos kërkoni as ‘qysh, si, pse’.

Të fundit