Flash News

Kosova

BE e shqetësuar për operacionet e fundit në veri të Kosovës

BE e shqetësuar për operacionet e fundit në veri të

Bashkimi Evropian ka reaguar pas operacioneve të fundit të autoriteteve të Kosovës në komunat me shumicë serbe në veri të vendit, duke i cilësuar si veprime që rrezikojnë të rrisin tensionet ndëretnike dhe të dëmtojnë pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

Në një deklaratë zyrtare të BE-së, Brukseli shpreh shqetësim të veçantë për inspektimet dhe mbylljet e shërbimeve publike, përfshirë kompanitë që ofrojnë ujë të pijshëm dhe shërbime bazike për komunitetet lokale.

Ditëve të fundit, autoritetet e Kosovës kanë marrë nën kontroll disa objekte, të cilat shfrytëzoheshin në kuadër të sistemit të Serbisë. Janë marrë nën kontroll një ndërtesë që përdoren nga Shërbimi Nacional për Punësim, ambientete e Ndërmarrjes Publike Komunale “Ujësjellësi Ibër”, palestrës sportive, muzeut të qytetit dhe disa institucioneve të tjera.

“Operacionet, inspektimet dhe mbylljet e fundit të policisë në Kosovë rrezikojnë të përkeqësojnë tensionet dhe të ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të komuniteteve lokale, si dhe të minojnë imazhin ndërkombëtar të Kosovës”, thuhet në reagim, në të cilin në veçanti është përmendur shqetësimi për operacionet ndaj “Ujësjellësit Ibër” në Mitrovicën e Veriut dhe për mbylljen e fabrikës në Zubin-Potok.

“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara minojnë përpjekjet për ndërtimin e besimit midis komuniteteve. Ne i bëjmë thirrje kryeministrit në largim Kurti dhe autoriteteve në Kosovë t’i ndalin këto mbyllje, të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin masat përshkallëzuese”, thuhet më tej në reagim.

Të fundit