Flash News

KRYESORE

Shqipëria zbret në indeksin global: Më pak e qetë, më shumë e pasigurt

Shqipëria zbret në indeksin global: Më pak e qetë, më

Shqipëria është bërë më pak paqësore gjatë vitit 2025, siç përcakton raporti më i fundit i Indeksit Global të Paqes (Global Peace Index), i publikuar nga Instituti për Ekonominë dhe Paqen (IEP).

Shqipëria ka humbur pozicione në klasifikimin botëror, duke u renditur këtë vit në vendin e 52-të nga 163 shtete gjithsej, një rënie krahasuar me pozicionimin e vitit të kaluar.

Në hartën globale, Shqipëria vendoset mes vendeve të cilat kanë arritur një nivel të lartë paqeje. Por pasqyra e brendshme tregon për një përkeqësim të lehtë në pikëzim, me 1.812 pikë këtë vit, kundrejt 1.809 pikëve në vitin 2024. Duhet theksuar se në këtë indeks, sa më afër vlerës 1 të jetë një vend, aq më paqësor konsiderohet.

Shqipëria zbret në indeksin global: Më pak e qetë, më

Rajoni dhe Europa: Shqipëria në mes të renditjes

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria renditet e treta, pas Malit të Zi (vend i 34-të) dhe Maqedonisë së Veriut (51). Më pas vijnë Bosnje-Hercegovina (59), Kosova (63) dhe Serbia (64), ku sidomos Kosova ka shënuar përkeqësim me 3 pozicione më pak se një vit më parë.

Në raport me kontinentin europian, Shqipëria zë vendin e 28-të nga 36 vende, duke lënë pas shtete si Franca dhe Qiproja, por mbetet mbrapa pjesës më të madhe të vendeve të BE-së. Në krye të renditjes europiane dhe botërore qëndron sërish Islanda, me një vlerësim prej 1.095 pikësh, e konsideruar prej vitesh si vendi më paqësor në botë.

Ku bie Shqipëria?

Raporti bazohet në tri shtylla kryesore: siguria shoqërore, shtrirja e konflikteve të brendshme dhe ndërkombëtare, shkalla e militarizimit. Shqipëria shfaq dobësi të theksuara në dy nga këto fusha:

Për sigurinë shoqërore, vendi ka një vlerësim të ulët prej 2.038 pikësh, që reflekton nivele të larta të perceptimit të kriminalitetit, protestave të dhunshme dhe destabilitetit politik.

Për shkallën e militarizimit, Shqipëria vlerësohet me 2.021 pikë, ku shënon përkeqësimin më të madh krahasuar me vitin e kaluar — një indikator që lidhet me rritjen e shpenzimeve ushtarake apo mungesën e kontrollit civil mbi strukturat ushtarake.

Ndërkohë, në aspektin e konflikteve të vazhdueshme, vlerësimi është 1.403 pikë, pak më i mirë se mesatarja, duke reflektuar mungesën e përplasjeve të hapura por jo domosdoshmërisht një gjendje të qëndrueshme të brendshme.

Dokumenta bashkëngjitur

Të fundit