Flash News

KRYESORE

Firmosin për “standarde ndërkombëtare”, por në klasa fëmijët dhunohen. Skandalet që rrëzojnë propagandën e arsimit

Firmosin për “standarde ndërkombëtare”, por në

Çfarë ndodhi sot

Në Tiranë u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Ministrisë së Arsimit dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), që synon krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore.

Kjo nismë u prezantua si një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit arsimor, me fokus në rritjen e cilësisë së shërbimeve, standardizimin e proceseve dhe afrimin me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Në ceremoni u theksua se reforma do të ndikojë drejtpërdrejt në administrimin e provimeve kombëtare dhe në rritjen e besueshmërisë së sistemit të vlerësimit.

Kontrasti me realitetin në terren

Nga njëra anë, qeveria prezanton një vizion për një sistem modern, të standardizuar dhe të orientuar drejt modeleve ndërkombëtare, me mbështetjen e ekspertëve të huaj dhe investime në teknologji.

 Nga ana tjetër, kronika e ditës sjell pamje dhe dëshmi shqetësuese nga shkolla shqiptare, ku fëmijët përballen me ofendime, kërcënime dhe madje dhunë fizike nga vetë mësuesit.

Ngjarjet e raportuara tregojnë se përtej investimeve dhe marrëveshjeve, problemet themelore në sistem vijojnë të mbeten të pazgjidhura.

Rasti në Kamëz (emisioni “Stop”)

Një nga rastet më tronditëse u publikua në emisionin “Stop”, ku prindërit e nxënësve të klasës së parë në shkollën 9-vjeçare “Isa Boletini” në Kamëz denoncuan sjelljen e papërshtatshme të mësueses kujdestare.

Sipas tyre, fëmijët janë përballur vazhdimisht me ofendime, kërcënime dhe presion psikologjik gjatë orëve të mësimit.

Firmosin për “standarde ndërkombëtare”, por në

Pamjet e transmetuara tregojnë një komunikim të ashpër dhe degradues, ku përdoren etiketime fyese dhe një gjuhë që cenon dinjitetin e fëmijëve, duke krijuar një ambient frike dhe pasigurie në klasë.

Raportohet se ndaj nxënësve janë përdorur jo vetëm etiketime ofenduese (qorr, budalle, torollake etj.) dhe kërcënime me ndëshkime (Do ta mbush me 1-sha për Zotin! Vdeksha sot, do t’ju përjashtoj nga klasa!) por dhe mallkime të frikshme ndaj të vegjëlve (si: Vdeksh!).

Qasja e saj ka krijuar një atmosferë frike dhe presioni psikologjik në klasë, duke evidentuar kështu që aftësitë e saj pedagogjike për të trajtuar fëmijët e klasës së parë nuk ekzistojnë.

Ministria e Arsimit ‘bën qokën’

Ministria e Arsimit ka reaguar pas publikimit të rastit të rëndë të ndodhur në shkollën 9-vjeçare “Isa Boletini”, në zonën e Institutit Bujqësor pranë Kamzës.

Ministria e Arsimit e cilësuar situatën të papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me etikën profesionale të mësuesit dhe standardet e sistemit arsimor.

 Menjëherë është urdhëruar ndërhyrja institucionale për verifikimin e plotë të ngjarjes.

Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Tiranë ka ngritur një grup pune të posaçëm, i cili ka nisur menjëherë hetimin administrativ, duke zhvilluar takime me drejtuesit e shkollës, psikologët e institucionit dhe prindërit e nxënësve të përfshirë në rast.

Firmosin për “standarde ndërkombëtare”, por në

“Menjëherë pas publikimit të rastit, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Tiranë ka ngritur grup pune për ndjekjen e plotë të situatës, duke zhvilluar takime me drejtuesit e institucionit arsimor, psikologët e shkollës dhe prindërit e nxënësve të përfshirë”, thuhet në reagimin e Ministrisë, teksa më tej bëjmë me dije se ditën e sotme mësuesja Mbjeshova është pezulluar menjëherë nga detyra dhe nuk lejohet të qëndrojë në ambientet e shkollës deri në përfundimin e procedurave hetimore dhe administrative.

Rasti tjetër në Kamëz 25 shkurt 2026 (reagimi i Policisë)

Policia reagoi për një tjetër rast në një shkollë 9-vjeçare“100-vjetori i Pavarësisë”  në Kamëz, ku një mësuese 58-vjeçare dhunonte fizikisht dhe psikologjikisht nxënësit..

Në pamjet e transmetuara dukej dhuna brutale që mësuesja Mine Hasani, ushtronte ndaj nxënësve,.

Firmosin për “standarde ndërkombëtare”, por në

 “Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 shpallën në kërkim shtetasen M. H., 58 vjeçe, pasi, bazuar në pamjet filmike të transmetuara në emisionin investigativ “STOP”, si dhe me veprimet e tjera hetimore të kryera, dyshohet se gjatë zhvillimit të procesit mësimor në një shkollë 9-vjeçare, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nxënësve”,– thuhej në reagimin e Policisë.

Rasti në Tepelenë

Një tjetër rast shqetësues u raportua në Tepelenë, ku një nxënëse 8-vjeçare pretendohet se është dhunuar në mënyrë të vazhdueshme nga mësuesja e saj.

Sipas familjarëve, fëmija është përballur me ofendime dhe dhunë fizike, duke sjellë pasoja të rënda emocionale.

Situata ka arritur deri në pikën që vajza refuzon të ndjekë shkollën, ndërsa prindërit shprehen se institucionet nuk kanë reaguar në kohë ndaj ankesave të tyre.

Mësuesja Rudina Çibuku ka pranuar se e ka sharë dhe goditur disa herë nxënësen, duke u justifikuar se vajza 8 vjeçare është fëmijë i vështirë.

Problemi në sistemin arsimor

Mungesa e mekanizmave efektivë të kontrollit, trajnimi i pamjaftueshëm i mësuesve për menaxhimin e klasës dhe komunikimin me nxënësit, si dhe dobësitë në raportimin dhe trajtimin e ankesave, krijojnë një terren ku abuzime të tilla mund të ndodhin dhe të përsëriten.

Sidomos gjatë kohëve të fundit ku situata të tilla janë raportuar shumë në media e disa të tjera janë lënë në hije duke berë që nxënësit të pësojnë terron në institucionet e arsimit.

Pasojat psikologjike te fëmijët

Sipas psikologjisë, dhuna në moshë të hershme ka ndikim të thellë në zhvillimin emocional dhe social të fëmijëve.

 Fyerjet, kërcënimet dhe ndëshkimet e padrejta mund të shkaktojnë ankth, frikë, ulje të vetëvlerësimit dhe vështirësi në përqendrim dhe të nxënë.

Në raste të zgjatura, këto përvoja mund të shndërrohen në trauma afatgjata, duke ndikuar negativisht në marrëdhënien e fëmijës me shkollën dhe shoqërinë.

 Nevoja për masa konkrete dhe reagim institucional

Situata kërkon më shumë se reforma në nivel dokumentesh. Duhen të merren masa konkrete dhe të menjëhershme, si: forcimi i monitorimit në shkolla, trajnimi i vazhdueshëm i mësuesve për aftësi pedagogjike dhe menaxhim emocional, krijimi i mekanizmave të besueshëm për raportimin e abuzimeve dhe reagimi i shpejtë nga institucionet përgjegjëse. Po ashtu, rritja e rolit të psikologëve shkollorë konsiderohet thelbësore për parandalimin dhe trajtimin e rasteve të tilla.

Pyetja që mbetet

Ngjarjet e fundit ngrenë një pyetje thelbësore për sistemin arsimor shqiptar: a mund të konsiderohet një reformë e plotë dhe e suksesshme, nëse në klasë nuk garantohet siguria, dinjiteti dhe mirëqenia e nxënësve? Pa adresuar këto probleme bazë, çdo përpjekje për modernizim rrezikon të mbetet në nivel deklarativ, ndërsa realiteti për shumë fëmijë vijon të jetë i vështirë dhe shqetësues./ Politiko.al

Të fundit