Flash News

KRYESORE

Mashtrimi me call center në Tiranë, media greke: Rrjeti me 450 punonjës “gëlltiti” 50 milionë euro

Mashtrimi me call center në Tiranë, media greke: Rrjeti me 450

Rrjeti i mashtrimit me Call Center-at në Tiranë ka bërë jehonë edhe në mediat greke, të cilat i referoen rasteve të fundit të goditjes ndaj rrjetit të mashtrimit telefonik, i zbuluar dhe goditur pas një hetimi dyvjeçar nga autoritetet ndërkombëtare.

Sipas mediave greke, bëhet fjalë për një zinxhir call center-ash me bazë në Tiranë me rreth 450 punonjës, që kishte shtrirë aktivitetin në disa vende të Europës, përfshirë edhe Greqinë.

Të paktën 10 persona janë arrestuar, ndërsa dëmi i shkaktuar arrin në rreth 50 milionë euro, një pjesë e konsiderueshme e të cilave dyshohet se janë marrë nga qytetarë grekë.

Si funksiononte skema

Mashtrimi ndiqte një model të njohur, por që vijon të mashtrojë viktima. Qytetarët merrnin telefonata nga numra që dukeshin grekë (+30) ose nga vende si Britania apo Belgjika, por në fakt telefonatat kryheshin nga Tirana.

Telefonuesit prezantoheshin si këshilltarë investimesh nga kompani ndërkombëtare dhe premtonin fitime të menjëhershme dhe të garantuara, kryesisht në kriptovaluta. Në disa raste, ata synonin persona që kishin humbur më parë para në investime, duke u premtuar rikuperimin e humbjeve dhe fitime shtesë.

Hapi i parë ishte bindja e viktimës për të depozituar 500 euro në një portofol dixhital. Ky konsiderohej si “sinjali” për të vijuar më tej me zhvatjen, duke i shtyrë viktimat të transferonin shuma gjithnjë e më të mëdha.

Strukturë si kompani

Rrjeti funksiononte me një strukturë të mirëorganizuar hierarkike. Në nivelin bazë ishin “agjentët” ose këshilltarët e investimeve, të cilët kryenin telefonatat. Ata paguheshin rreth 800 euro në muaj, plus komisione për çdo viktimë që arrinin të bindnin.

Agjentët punonin në grupe prej 6-8 personash dhe ndaheshin sipas gjuhëve që zotëronin: anglisht, gjermanisht, italisht, spanjisht dhe greqisht. Çdo grup kishte një drejtues, i cili raportonte te menaxheri i call center-it.

Kjo strukturë i ka lejuar rrjetit të operojë për vite me radhë dhe të zgjerojë aktivitetin në shkallë ndërkombëtare.

Hetimi dhe goditja

Zbulimi i rrjetit nisi pas një vale ankesash në Vjenë në qershor 2023. Autoritetet e Austrisë dhe Shqipërisë, në bashkëpunim me Europol dhe Eurojust, ngritën një task-forcë për të hetuar aktivitetin.

Gjurmët dixhitale çuan në Tiranë, ku u kontrolluan 3 godina zyrash dhe 9 banesa. Gjatë operacionit u sekuestruan: 443 kompjuterë desktop, 6 laptopë, 238 telefona celularë, media të ndryshme ruajtjeje të të dhënave dhe rreth 891,735 euro cash.

Model për studim

Sipas Europol, ky rast pritet të shërbejë si model studimi për mënyrën se si organizatat kriminale mund të strukturohen si biznese legjitime, duke operuar në mënyrë efikase dhe duke gjeneruar fitime të mëdha përmes mashtrimit elektronik.

 

Të fundit