Flash News

KRYESORE

Ministri që hesht dhe dorëzohet para krimit

Ministri që hesht dhe dorëzohet para krimit

Pesë të vrarë dhe një i plagosur është bilanci i 24 orëve të fundit në Shqipëri. Vrasjet, në sezonin e nxehtë të verës, rikthyen kronikën e zezë në qendër të raportimeve, mirëpo nuk nxitën asnjë reagim nga instancat përgjegjëse.

Lorenc Kosta, 45 vjeç, u qëllua me breshëri arme nga ish-komandanti i “Shqiponjave”, Erion Goxhara. Ngjarja ndodhi për shkak të një tradhëtie që dyshohet se ka ndodhur mes Kostës dhe bashkëshortes së Goxheres. Ky i fundit në mesditë, në zonën e “Komunës së Parisit” rreth orës 14:07, qëlloi me armë në pjesën e poshtme të trupit duke e lënë Kostën të plagosur rëndë.

Vetëm disa orë pas plagosjes, vendi u trondit nga një vrasje e dyfishtë.

Arsid Hoxha dhe Ersild Ishmi u vranë nga dy vëllezërit, Eduart dhe Gëzim Frroku. Dy pronarët e hotelit ku punonin viktimat, qëlluan me armë punëtorët e tyre, respektivisht kamerier dhe kuzhinier, pasi një muaj më parë ishin konfliktuar për motive të dobëta.

Dy të rinjtë u dërguan fillimisht në spital të plagosur, por ndërruan jetë për shkak të plagëve të marra.

Po në orët e pasdites së të hënës, shtetasi amerikan Mathew James Werts, vrau bashkëshorten e tij Indah Lilis Sartika Saragih, bashkë me dy qentë e tyre dhe më pas, i dha fund jetës. Detajet janë më tronditëse pasi amerikani prej 10 vitesh mbante të burgosur në banesë bashkëshorten duke mos e lejuar të takonte njerëz të tjerë.

Teksa mbyllej saga e tre ngjarjeve të rënda që tronditën vendin, mëngjesi i së martës nisi sërish me titull nga kronika e zezë.

Një 68-vjeçar në fshatin Lajthizë të Mirditës u gjet i vrarë në dhomën e fjetjes nga vajza e tij. Sipas policisë, dyshohet se viktima është qëlluar për vdekje nga dritarja e dhomës. 68-vjeçari kishte humbur kontaktet me familjen pre dy ditësh.

4 ngjarje me bilance të rënda nuk kanë marrë ende një reagim nga ministri i Brendshëm i vendit, Ervin Hoxha. Asnjë viktimë, as familja dhe as i plagosuri nuk i kanë bërë përshtypje ministri që ndoshta i duhet të përfundojë njëherë pushimet për t’u kujtuar se detyra e tij është të garantojë rendin e sigurinë për qytetarët.

Por, ministri ka dështuar duke iu dorëzuar me duart lart krimit.

Ministri zgjedh të përdore Facebook-un për reagime e komente vetëm kur policia vë në pranga ose kap disa të rinj me qese kanabisi ose kur efektivët e inkriminuar bien në grackën  që kanë ngritur vetë, duke e shitur këtë të fundit si një krenari.

Zero reagim, zero përgjegjësi, para qytetarëve që sot, po rrezikohen nga dështimi i një Ministrie.

Përgatiti: Kristina Tepexhiku

Të fundit